Haxhiu: Të kthehet kredibiliteti në provimin e Jurisprudencës

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka kërkuar nga anëtaret e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, që të jenë në nivelin e detyrës dhe gjithashtu, që në përputhje me legjislacionin dhe kriteret profesionale, të zbatojnë përgjegjësitë të cilat u janë besuar, për ta kthyer kredibilitetin dhe profesionalizimin në këtë proces.

Këtë kërkesë Haxhiu e ka bërë në takimin që sot kishte me anëtarët e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, në të cilin ishin prezent edhe zëvendësministri, Blerim Sallahu dhe këshilltari i Lartë dhe Shefi i Kabinetit, Genc Nimoni.

Kryetari i Komisionit, Albert Zogaj, në emër të Komisionit ka treguar rëndësinë që ka ky mekanizëm.

Ai theksoi se do të punojnë që t’ia kthejnë integritetin dhe profesionalizmin e munguar.

Në kuadër të reformave, ditë më parë ministrja e Drejtësisë gjithashtu kishte ulur tarifat 50% për kandidatë të cilët do t’i nënshtrohen provimit si dhe për vet anëtarët e Komisionit.

Ditëve në vazhdim, Ministria e Drejtësisë do të fillojë përgatitjet për organizimin dhe mbajtjen e Provimit të Jurisprudencës, me ç’rast shumë juristë do të kenë mundësinë që t’i nënshtrohen.