Haxhiu: S’ka kërkesë nga mbrojtja për t’ju ofruar garanci të akuzuarve në Hagë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se nuk kanë marrë asnjë kërkesë nga pala mbrojtëse e ish anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuarve në Hagë, për të ofruar garanci për mbrojtjen në liri.

Ajo tha se nëse do të marrin një kërkesë të tillë do ta diskutojnë brenda kabinetit qeveritar.

“Padyshim që ne si qeveri do ta diskutojmë, do të jemi në konsultime me kryeministrin. Deri më tash nuk kemi pasur asnjë kërkesë nga mbrojtja e të akuzuarve”, tha ajo.

Haxhiu gjatë diskutimit të organizuar nga Lëvizja Fol tha se prioritete të ministrisë që e drejton është vettingu në drejtësi, adresimi i krimeve të luftës, adresimi i dhunës në familje.

Deputetja shqiptare e Kuvendit të Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj dje ka demantuar deklaratën e ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Koshares, Hisen Berisha, që kishte thënë ditë më parë se pas Kroacisë tani edhe Austria dhe Sllovenia ofrohen garant të lirimit me kusht të të arrestuarve në Hagë. 21media