Haxhiu: Seancat e dështuara nga mungesa e kuorumit, kishin mbi 90 deputetë të nënshkruar

Agnesa Haxhiu monitoruese e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës KDI, ka bërë me dije të dhënat e monitorimit të punës së Kuvendit për gjashtë muajt e parë të sesionit pranveror 2022.

Sipas Haxhiut, Kjo periudhë është karakterizuar me mungesë të theksuar të kuorumit në punimet plenare.

“Mungesa e kuorumit ka qenë e shpeshtë kryesisht për ligjet bazike që kërkojnë shumicën e thjeshtë të votave”, tha Haxhiu.

Karakteristikë këtij sesioni sipas saj është mungesa e theksuar e deputetëve. Ndërsa në seancat e dështuara shkaku i kuorumit, Haxhiu tha se janë nënshkruar mbi 90 deputetë.

“Sipas të dhënave të siguruara nga Kuvendi deri në fund të muajit qershor deputetët kanë munguar 699 herë. Nëse kalkulohet mesatarja e mungesës së deputetëve për secilën seancë i bie që mesatarisht kanë munguar deri në 16 deputetë. Në seancat që kanë dështuar në mungesë të kuorumit del se në secilën prej atyre seancave të nënshkruar kanë qenë mbi 90 deputetë”, tha ajo.

Haxhiu tregoi se opozita ka tregu rol konstruktiv duke marr pjesë në votimin e çështjeve që kërkojnë 2/3 e votave siç është rasti i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Monitoruesja e punës së Kuvendit, tha se shumica përkundër vlerave numerike, nuk ka reflektuar në fuqinë politike për të marr vendime të rëndësishme.

“Rasti i dështimit të miratimit të codit civil. Pavarësisht se kishte marr përkrahjen e qeverisë, nuk e gjeti përkrahjen nga shumica parlamentare”, tha ajo.

Haxhiu shtoi se nga janar deri në qershor janë zhvilluar 45 seanca dhe 19 vazhdime të seancave.

“23 seanca kanë dështuar në mungesë të kuorumit”, u shpreh Haxhiu.

Sa i përket agjendës legjislative, haxhiu tha se numri i projektligjeve në procedurë janë 108 ndërkaq prej këtyre 43 projektligje janë miratuar dhe 65 projektligje janë duke u shqyrtuar.

Haxhiu shtoi se agjenda legjislative e qeverisë për këtë vit përmban 150 projektligje prej të cilave deri tani për 6 muaj në Kuvend janë dorëzuar vetëm 23 projektligje.

Ndonëse ka vonesa të shumta në shqyrtim të projektligjeve sipas afateve procedural këtë vit Haxhiu tha se Kuvendi ka numrin më të madh të projektligjeve të miratuara që nga legjislatura e V-të.