Haxhiu: Qeveria e udhëhequr nga PDK ka dashur t'i amnistojnë krimet e Serbisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në seancën e Kuvendit ka folur në lidhje me deklaratat e deputetes së PDK-së për personat e pagjetur.

Haxhiu në mikrofonin e foltores lëshoi një intervistë, ku ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi flet për krimet e luftës.

“Po jem shumë i drejtpërdrejtë për krime lufte s’e kisha dënu asnjë njeri, me pasë në dorën time, në fuqinë time. Kisha bë amnisti bile edhe për palën tjetër. Sepse për mua çmimi më i madh për luftën është liria dhe pavarësia. Krejt këto tjerat janë pjesë e atij çmimi dhe shume popuj kanë bërë aministi të tilla”- ka thënë Kuçi në audion e lëshuar nga ministrja Haxhiu.

Haxhiu tha se Kuçi ka folur për amnistimin e krimeve të luftës teksa shtoi se këtë qasje e ka ndjekur Qeveria e udhëhequr nga PDK.

“Pra, Hajredin Kuçi, ish-ministri i Drejtësisë flet për amnistimin e krimeve të luftës. Këtë qasje e ka ndjekë Qeveria e udhëhequr nga PDK-ja. Këtë qasje e ka ndjekë edhe Hashim Thaçi sa e ka udhëhequr dialogun me Serbinë, sepse mos të bëhej e madhe nga mediat dhe opozita ka pasur përpjekje të amnisimot të krimeve që Serbia i ka bë në Kosovë”- tha Haxhiu.

Ministrja tha se Serbia tashmë për herë të parë në një dokument zyrtar pranon krimet që ka bërë në Kosovë gjatë periudhës së luftës.

“Serbia është shfajësuar në kohën kur ju keni qeverisur, ndërsa tani Serbia për herë të parë në një dokument zyrtar pranon krimet që ka bërë në Kosovë gjatë periudhës së luftës, krimet ndaj popullit të Kosovës, krimet e luftës, aktet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit”- theksioi ajo.

“Për herë të parë Qeveria e Kosovës i trajton seriozisht, edhe me themelimin e institutit edhe me strategjinë tranzicionale dhe me rritjen e prokurorëve prandaj mos flisni”- shtoi ajo.

Në kund replikë ndaj ministres, deputetja Hoxha kërkoi nga Haxhiu që ta gjejë termin ‘forcibly disappeared’ në një konventë ndërkombëtare.

“Ma gjej diku në dokumentet ndërkombëtare të drejtësisë dhe konventave ndërkombëtare që merren me çështjen dhe mbrojtjen e personave të zhdukur me dhunë, termin ‘forcibly disappeared’. Unë e kam gjetur ‘enforced disappearence’ që shpjegon saktësisht se për çka bëhet fjalë dhe kush merret pastaj, e më çka obligohet shteti karshi viktimave. Për çka po flisni ju nuk është kategori juridike”- deklaroi Hoxha.

Të martën me 2 maj në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë miratuar deklaratën për personat e zhdukur, teksti i të cilit ishte dakorduar në prill të këtij viti pas takimit trepalësh në Bruksel mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq.

Hoxha: Kurti do të duhej që të kërkonte falje në Kuvend ndaj familjarëve të të pagjeturve