Haxhiu: Prokurorët duhet të japin përgjegjësi për neglizhim të krimeve të luftës

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ftuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ për të diskutuar në lidhje me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, që mundëson gjykimin e kriminelëve në mungesë, ka thënë se prokurorët që i kanë neglizhuar rastet e krimeve të luftës duhet të japin përgjegjësi.

“Këta (prokurorët) nuk duhet me i neglizhu detyrat që i kanë para vetes. Kjo është neglizhencë përballë krimeve të luftës që janë krimet më të rënda për secilin shtet, në këtë rast edhe për Kosovën. Këta duhet të japin përgjegjësi për mosveprimin e tyre”, tha Haxhiu.

Sipas saj, duhet të ketë prokurorë të posaçëm që merren vetëm me lëndët e krimeve të luftës dhe kjo mund të bëhet duke e shtuar numrin e prokurorëve të rinj.

“Duhet të ketë trajnime të vazhdueshme për prokurorë specialë që merren me rastet e krimeve të luftës, të kenë bashkëpunëtorë dhe ekspertë. E jo që pastaj këta prokurorë të merren e rastet e krimit të organizuar, apo terrorizmit, sepse pastaj humb vëmendje dhe interesimi. Kjo mund të bëhet lehtë, me rekrutimin e prokurorëve të rinj, apo me ata aktualë duke i deleguar tek lëndet e krimeve të luftës’, ka thënë ministrja Haxhiu.

Për këto tema po diskutohet me Albulena Haxhiun, ministre e Drejtësisë, Ramadan Ahmeti – Policia e Kosovës, Adelina Tërshani, autore e teksteve si dhe koordinatore e projekteve në Rrjetin e Grave, Dijana Simiq, aktiviste që punon me viktimat e dhunës dhe Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë” .