Albulena Haxhiu: Procesi i vetingut, prioritet i qeverisë sonë

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se procesi i vetingut është prioritet i Qeverisë me qëllim të kthimit të besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Grupi i ekspertëve ka vazhduar punën dhe tani besoj që do ta kemi një dokument të vlefshëm dhe besoj se do t’ua zgjasim afatin një muaj për shkak të pandemisë. Jam shumë e bindur që dokumentet që do të na sjellin do të jenë hapat tonë konkret për ta nisur dhe përfunduar këtë projekt”, tha ajo në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë.

Haxhiu mes  tjerash tha se në 100 ditë në qeverisje kanë adresuar shumë çështje që kanë të bëjnë me dhunën në familje.

“Vetëm në mars, prill, maj në kohë të pandemisë kemi pasur afër 350 raste të dhunës në familje të cilat kanë qenë të raportuara”, tha ajo.

Haxhiu mes tjerash shtoi se kanë bërë reduktim të shpenzimeve në këtë dikaster.

“Shpenzimet për mua si ministre janë  200 euro ndërsa për kabinetin 400. Me krahasu me kabinetin e kaluar ka shpenzuar afër 4 mijë euro për muaj, ndërsa ish-ministri 1,500 euro për muaj. Njësoj do të vazhdojmë me reduktimin e shpenzimeve në nivele të tjera”, tha ajo.