Haxhiu prezanton punën dyvjeçare të Ministrisë së Drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministri, Blerim Sallahu përmes një videoje kanë prezantuar punën e dikasterit që drejtojnë për dy vite.

Haxhiu ndër një të arriturat, ka përmendur Vetingun në drejtësi që sipas saj ky proces do të sigurojë që sistemi drejtësisë të jetë i pavarur.

“Komisioni i Venecias i ka dhënë dritën e gjelbër për Vetingun në drejtësi. Ky proces do të sigurojë që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, efikas e transparent dhe që gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës të kenë integritet moral por edhe profesional. Ky proces do ta kthejë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”- ka thënë Haxhiu.

Zëvendësministri Sallahu tha se tashmë është kompletuar projektligji për byronë dhe se pritet themelimi i Byrosë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Tashmë kemi kompletuar projektligjin për byronë për konfiskimin e pasurisë në përputhje me opinionet e Komisionit të Venecias dhe qysh në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, pritet themelimi i Byrosë për Konfiskimin dhe Verifikimin e Pasurisë. Paketa anti-korrupsion është avancuar, duke paraparë krijimin e taskforcës hëtimore Anti-korrupsion, por edhe luftimin e korrupsionit përmes sinjalizimit”- tha Sallahu.

Në video përmedet edhe funksionalizimi i Gjykatës Komerciale, që sipas ministres janë kursyer rreth 100 milionë euro nga dy fitoret e Kosovës në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Më tej, ministrja Haxhiu ka thënë se adresimi i krimeve të luftës mbetet prioritet i saj teksa ka numëruar veprimet që ka ndërmarrë në lidhje me këtë çështje.

“Adresimi i krimeve të luftës mbetet prioriteti tjetër në të cilin janë ndërmarrë hapa konkret. Kemi rritur kapacitetet në Prokurorinë Speciale për katër prokurorë dhe po ashtu gjashtë bashkëpunëtorë profesional për trajtimin e krimeve të luftës. Në këtë drejtim pas 23 viteve të luftës Kosova për herë të parë po themelon me ligj Institut për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, i cili pritet të funksionalizohet gjatë këtij viti”- njoftoi ajo.

Gjithashtu Haxhiu tha se janë miratuar katër akte të rëndësishme në parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore si : Strategjia Nacional kundër Dhunës në Familje (2022- 2025) , Protokolli Shtetëror për Trajtimin e rasteve të Dhunimeve Seksuale, ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale që parashihen dënimet plotësuese për dhunuesit, Kurrikulën për trajtimin e dhunuesve dhe ndihmë juridike falas për gjithë kategoritë e viktimave të dhunës.

Në vitin e fundit në 375 pyetje drejtuar ministrisë, MD thotë se në të gjitha rastet janë oftuar përgjigje për gazetarët, ndërsa në 33 kërkesa për qasje në dokumente publike, në 32 prej tyre MD ka kthyer përgjigje plotësisht, vetëm në një pjesërisht.