Haxhiu pret në takim ambasadorin italian, Nicola Orlando, flasin për luftimin e krimit dhe korrupsionit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ambasadorin italian, Nicola Orlando, me të cilin diskutuan rreth prioriteteve të Ministrisë.

Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se ambasadori italian, Nicola Orlando, e uroi ministren Haxhiu për detyrën e saj, dhe i ofroi mbështetje drejt forcimit të ligjit.

“Ambasadori italian, Nicola Orlando, e uroi ministren Haxhiu për detyrën e saj, si dhe ofroi mbështetjen e ambasadës italiane drejt forcimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës si angazhim i pa kompromis i ministres, respektivisht Qeverisë së Republikës të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim theksohet se ambasadori ka shprehur përgëzimet e tij lidhur me aksionin e fundit kundër krimit të organizuar dhe gatishmërinë për bashkëveprim të mëtejmë.

“Të dy palët shprehën përgëzime për aksionin e fundit të përbashkët, kundër krimit të organizuar, me ç ‘rast u theksua gatishmëria për bashkëpunim edhe në të ardhmen, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe në sferat në të cilat kërkohet bashkëveprim i ndërsjellë”, thuhet tutje në njoftim.