Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haxhiu: Pozita i shpërfilli kërkesat e sindikatave në Ligjin për Paga

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu tha se në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal kur po trajtohej ligji pagave, u shpërfillën amendamentet dhe kërkesat e sindikatave që marrin pagë nga buxheti i Kosovës.

Haxhiu deklaroi se me përkushtim u votuan amendamentet e Qeverisë.

“Për fat të keq ky projektligj, po vjen në votim duke shpërfillur të gjitha kërkesat e sindikatave dhe organizatave punonjëse që marrin pagë nga buxheti i Kosovës. Për gjashtë orë kam qëndruar në Komisionin për Administratë Publike për shqyrtime të amendamenteve dhe kërkesave të sindikatave dhe të organizatave buxhetore dhe jam i zhgënjyer se me sa papërgjegjësi janë trajtu këto kërkesa”- u shpreh Haxhiu.

“Sa me përkushtim kanë punu deputetët e mazhorancës që me i kalu amendamentet që Qeveria i ka pru në Ligjin e pagave pasi ligji është votu në shqyrtim të parë”- shtoi ai.

Sipas Haxhiut, Qeveria me inate politike e preferenca i kanë favorizuar disa profesionistë shëndetësor dhe të tjerët i kanë diskriminuar.

“Qeveria dhe mazhoranca, pak me inate politike, pak me preferenca disa profesionistë shëndetësor i favorizojnë e të tjerët i diskriminojmë. Për shembull infermierët, mamitë, logopedët, fizitoeraputët, teknikë të radiologjisë e biokimisë i ka kategorizuar në sektorin primar, sekondar e terciar. Por profesionistët tjerë si psikologët, stomatologët, mjekët e përgjithshëm i ndan me një klasë pa e specifiku fushën e veprimit, si mundet që 70% e profesionistëve të ndahen në tri sektorë e 30% të jenë me një klasë”- theksoi Haxhiu.

“Kjo ka qenë një prej arsyeve që Gjykata Kushtetuese e ka rrëzu ligjin e kaluar për paga dhe atëherë nuk janë marrë në konsideratë këto vërejtje dhe po përsëritet e të jep me kuptu që po dojnë me rrëzu këtë ligj dhe mos me e kalu testin e kushtetueses”- tha mes tjerash deputeti i PDK-së.

Javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar propozimin që shqyrtimi i Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjit për Paga të bëhet me shmangie nga afatet procedurale të parapara sipas rregullores.

Me kërkesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për këtë mocion Kuvendi ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme.

Me 68 vota për, Kuvendi e ka miratuar në parim Projektligjin për paga në sektorin publik. Prezantimin e projektligjit para deputetëve e ka bërë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ai ka thënë se me të zvogëlohet hendeku mes pagës më të ulët dhe më të lartë në vend.

“Presidentja është kreu i shtetit dhe mban koeficientin me të lartë, kryetarja e gjykatës kushtetuese është vendosur në mes të presidentes dhe përfaqësuesit të pushteteve dhe ka koeficient të veçantë nga pozitat tjera, më tutje është respektuar parimi i privatësisë”-ka thënë ai

Zyrtarisht ende nuk dihet sa është koeficienti.

Në seancën e 9 dhjetorit, kur janë miratuar në parim këto projektligje, është vendosur që të trajtimi i tyre të bëhet në procedurë të rregullt.

Afati ligjor për të propozuar amendamente sipas rregullores së Kuvendit është 15 ditë.