Haxhiu pjesë e konferencës në Kroaci bashkë më përfaqësues nga shtetet e rajonit 

Hartimi i legjislacionit në sundimin e ligjit dhe instalimi i një fryme të re të qeverisjes me duar të pastërta, po konsiderohen hapa pozitivë drejt luftimit të korrupsionit në Kosovë.

Kështu tha Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila po merr pjesë në konferencën regjionale me temën: “Kultura e Integritetit – Rritja e parandalimit të korrupsionit” e cila po mbahet në Shibenik  të Kroacisë.

Haxhiu përmendi edhe procesin e Vettingut duke thënë se do t’i kontribuojë një sistemi të drejtësisë me integritet, profesional dhe llogaridhënës.

“Kur jemi tek korrupsioni dhe lufta kundër tij, tashmë Republika e Kosovës është në procesin e miratimit të një nisme mjaft të rëndësishme globale siç është Projektligji për Sanksionet e Shënjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, i njohur ndryshe edhe si Magnitsky Act, nismë kjo me efekte globale anti-korrupsion”, tha Haxhiu.

Në këtë konferencë pjesëmarrës janë edhe ministra të drejtësisë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të qeverive dhe agjencive kundër-korrupsionit, organizata ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile dhe akademia.