Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu

Haxhiu: Përpjekjet e opozitës për të njollosur dy iniciativa të rëndësishme, janë të dështuara

Pas deklaratës së Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilët thanë se qeveria po tenton që në emër të ç’kapjes, të ri-kapë sistemin e drejtësisë në vend, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë se opozita po përpiqet të njëllosë dy iniciativa të rëndësishme, të cilat sipas saj janë reforma në sistemin prokurorial dhe konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve në rastet kur ajo nuk mund të justifikohet.

Sipas Haxhiut, këto përpjekje të opozitës janë të dështuara.

“Përpjekjet e opozitës për të njollosur dy iniciativa të rëndësishme, atë për reformën në sistemin prokurorial dhe atë për konfiskimin e pasurisë së zyrtarëve në rastet kur ajo nuk mund të justifikohet, janë të dështuara”, u shpreh Haxhiu në një postim në Facebook.

Tujte ajo ka shtuar se e kanë pasur të qartë që, sipas saj, rruga drejtë reformave nuk do të jetë e lehtë.

Mirëpo krahas kësaj, e para e Ministrisë së Drejtësisë ka thënë se e kanë vullnetin e hekurt për të bërë ndryshimet e duhura.

“Vendi ynë do të bëhet i jetueshëm, me drejtësi e barazi”, tha ndër të tjera Haxhiu.

Në anën tjetër, LDK sot gjatë ditës ka mbajtur një konferencë për media.

Deputeti i kësaj partie, Driton Selmanaj, ka deklaruar se vlerësimet e partisë së tij janë se Qeveria e Kosovës me disa nisma që i ka marrë së fundmi, ngrit shqetësimin për pretekstin që në emër të ç’kapjes, të bëjë kapjen.

“Shqetësim për ne është sesi rekomandimet e Komisionit të Venecias të shfrytëzohen për vendime jo të mira, shembull projektligji për Këshillin Prokuororial. Më 15 mars është votuar në Kuvend, ndërsa më 18 mars Komisioni i Venecias ka pas në agjendë diskutimet për këtë projektligj”, tha Selmanaj para gazetarëve.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që Projektligjin për Këshillin Prokurorial ta tërheqë, pasi sipas tij, si i tillë ka probleme.

Selmanaj ka përmendur edhe çështjen për Byron Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë, duke thënë se Qeveria e ka dërguar me vonesë për komente në Komisionin e Venecias.

“Çështja tjetër është për Projektligjin për Byron Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë. Ky Projektligj është dërguar tek tani në Komisionin e Venecias dhe ne po e ngrisim shqetësimin duke marrë parasysh praktikat”, tha Selmanaj.

Ndërsa në lidhje me procesin e Vettingut, Selmanaj tha se si parti kanë shprehur shqetësimin se si kanë shkuar procedurat në këtë proces, sipas tij, pa konsensus politik.

“Draft-komente që Komisioni i Venecias i ka dërguar para disa dite, por që nuk i kanë bërë publike. Flasim për probleme serioze”.

Shqetësim tjetër, sipas Selmanajt të LDK-së, është edhe draftligji për inspektimin administrativ.

“Kjo Qeveri përpiqet të ndërtojë një polici hulumtuese në kuadër të administratës publike. Krejt mandati i këtij inspektorati është i gabueshëm, nuk mundet inspektorati administrativ me iu fut në zyre, shërbyesit civil. Metoda të tilla askund nuk mund t’i gjeni në botën demokratike, po flasim për një sistem diktatorial ku nuk i besojnë as administratës së shtetit. Ne kërkojmë që qeveria qysh në start të tërhiqet”, tha në fund deputeti Driton Selmanaj.

LDK: Qeveria po tenton në emër të ç’kapjes të kapë sistemin e drejtësisë