Albulena Haxhiu
Haxhiu për rastin e plagosjes në Fushë Kosovë: I dyshuari ishte në mbajtje, u lirua edhe pse ishte recidivist
Një burrë është arrestuar sot nën dyshimin se ka plagosur gruan e tij në Bresje të Fushë Kosovës.
Gruaja është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa është njoftuar se gjendja e saj është stabile.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se sipas informacioneve që kanë, personi i dyshuar kishte qenë në mbajtje, por ishte liruar.
E para e Drejtësisë tha se diçka e tillë kishte ndodhur ani pse i dyshuari ishte recidivist.
Madje sipas Haxhiut i dyshuari sapo është lënë i lirë ka shtënë me armë zjarri mbi gruan e tij.
“Edhe ky rast është dëshmia më e tmerrshme e neglizhencës së institucioneve të drejtësisë, në këtë rast gjyqtarit dhe sipas informacioneve që kemi me vendimin e së cilit është pajtuar edhe prokurori” – vazhdoi tutje ajo. Gjithnjë po kërkohet një arsye që dhunuesi mos të përballet me pasojat. Këtë rast gjendja shëndetësore e tij.”
“Kjo neglizhencë, këto vendime të gabuara e të nxituara po i stimulojnë rastet jo vetëm të dhunës, por edhe vrasjeve” – u shpreh e njëjta.
Madje Haxhiu tha se në vazhdimësi kanë theksuar se rastet e tilla të dhunës ekstreme po dalin të jenë recidivistët dhe tashmë të denoncuar apo arrestuar për dhunë më herët.
Haxhiu njoftoi se kësisoj, është e pafalshme neglizhenca dhe mos-dënimi adekuat i këtyre rasteve, që jo vetëm nuk po e parandalojnë më të keqen, por tha se po shndërrohen në stimulues të dhunës e vrasjeve.
Ministrja shtoi se secila grua, secili qytetar duhet të ndihet i fuqishëm kur denoncon dhunën në shtet.
Haxhiu tha se aty është adresa ku përfundon dhuna dhe nis drejtësia dhe jo vatra e përshkallëzimit të dhunës.
Rasti në Fushë Kosovë – Burri dyshohet se e plagosi gruan, jetonin të ndarë