Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu

Haxhiu për kërkesën e Edi Ramës: E njëjtë me atë të Vuçiqit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i është kundërpërgjigjur kryeministrit shqiptar, Edi Rama, rreth idesë që KFOR-i të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.

Haxhiu ka shkruar se kërkesa e Ramës është e njëjtë me atë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.” – kështu paska deklaruar sot Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë. Tre muaj më parë, saktësisht me 19 qershor, këtë qëndrim të tanishëm KM Rama e thoshte me brengë, si diçka që ka rrezik se mund të ngjajë, e jo si diç që duhet të bëhet! Në fakt, kjo kërkesë e re e tij nga një brengë e vjetër që besonim se e kishte është veçse kërkesë e stërvjetruar e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”- ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Haxhiu ka thënë se “nuk ka nevojë që KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës” por ajo që nevojitet janë patrullimet e përbashkëta me Policinë e Kosovës përgjatë kufirit me Serbinë.

“Kosova është Republikë e pavarur dhe sovrane. Mbikqyrja ndërkombëtare e pavarësisë ka përfunduar më 10 shtator 2012. Në veri të Kosovës, terroristët dhe kriminelët nga Serbia vranë rreshterin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku në pritë në ora 3 pasmesnate të dielën që shkoi. Gjatë luftimeve të mëpastajme, ata nuk kishin kurrfarë shansi me Policinë e Kosovës. Së paku tre terroristë u vranë, kurse të tjerët ose janë arrestuar (gjashtë sosh) ose janë në ndjekje (sepse janë në ikje). Nuk ka nevojë që KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës”- ka deklaruar Ministrja e Drejtësisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kërkuar që pas zhvillimeve të fundit dhe sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, për sigurinë e veriut të Kosovës të vendoset misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë – KFOR.

Në një konferencë për media, të mbajtur sot për çështjen e Kosovës, Rama tha që kjo ka qenë kërkesë e tij e kahmotshme.

“KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë, e kam bërë edhe në Samitin e NATO-s, e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse”- tha ai.

“Tani çdo hezitim dhe çdo vonesë ndërlidhet me argumentin e orëve të fundit jo kemi jo s’kemi mjaftueshëm trupa. Mund ta bëjë larg qoftë ndërhyrjen e nesërme të KFOR shumë më të madhe në trupa por edhe në vështirësi”- theksoi ai.Rama ka thënë se edhe Kosova dhe Serbia nuk kanë kundërshtuar vendosjen e KFOR-it në veri.

“Prandaj jam këtu sot, dhe më vjen mirë, që këtë tani më e kërkon edhe Kosova, KFOR-in në veri, nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë edhe Serbia madje disa zëra e kanë kërkuar edhe pala serbe. Sepse këtu s’ka rëndësi fare kush e kërkon, pse e kërkon, si e kërkon, këtë e kërkon situata sot”- shtoi ai.

Një kërkesë të tillë e ka bërë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit që të martën ka zhvilluar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

“Përsërita qëndrimin e Serbisë për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe Metohi dhe kërkova që KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës në vend të policisë së Kurtit”- kishte thënë mes tjerash Vuçiq.

Edhe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është kundërpërgjigjur homologut të tij shqiptar, Edi Rama.

Kurti në një intervistë për Istraga.ba ka thënë se Kosova përgjatë kufirit me Serbinë ka nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë Policinë dhe KFOR-in por jo të ndryshohet protokolli sipas të cilit Policia është reaguesja e parë.

“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë policinë tonë dhe KFOR-in përgjatë kufirit Kosovë-Serbi. Për sa i përket çështjeve të tjera, protokolli është vendosur tashmë. Kudo në Kosovë, policia jonë është reaguese e parë, e pasuar nga EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Unë nuk besoj se ky protokoll duhet të ndryshohet”- ka thënë ndër të tjera Kurti për Istraga.ba .

Intervista e plotë e Kurtit për median boshnjake pritet të publikohet të gjatë javës.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga një grup terrorist nga Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të 24 shtatorit.

Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar se të dyshuarit ata do të hetohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve dhe dy janë arrestuar mbrëmë në një hotel në afërsi të Banjkës.

Katër nga të arrestuarit janë liruar, për mungesë provash, njoftoi të mërkurën Prokuroria Speciale e Kosovës.