Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu

Haxhiu për fitoren e PDK-së në Skenderaj: Me këtë rezultat nuk mund të mburret Drenica

Deputeti i  Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu në zgjedhjet lokale të 17 tetorit ka përkrahur haptas listën e pavarur të Bekim Jasharit dhe jo kandidatin e subjektit të tij, Fadil Nurën.

Haxhiu pas fitores së PDK-së në Skenderajt, ka thënë se më këtë rezultat “nuk mund të mburret Drenica”.

Sipas tij, në Skenderaj fitoi lakmia më shumë se lavdia.

“Bekim Hamëz Jashari, për Drenicën, për mua dhe familjen time mbetesh kryetari më i respektuar e emblematik i Skënderajt. Unë, përkrahësit dhe votuesit tuaj jemi me kokën lartë, krenarë që jetojmë në këtë epokë ku na u dha mundësia ta votojmë Bekim Hamëz Jasharin për kryetar komune. Kokën lartë si çdo herë me Jasharajt dhe me Bekim Jasharin për punën që ka bërë në qeverisje të Skënderajt, me transparencë, pa korrupsion, pa nepotizëm”, ka shkruar deputeti i PDK-së në rrjetin social “Facebook”.

Ai mes tjerash tha se “të pikëlluar e me kokën ulur duhet të jenë ata që ia humbën Skënderajt mundësinë e artë me Bekim Jasharin në realizimin e projekteve për zhvillim dhe ndërtim të Drenicë”.

“Jasharajt e ndrruan historinë. Ata janë vet historia moderne. Ata na e mundësuan edhe 17 tetorin 2021. Pa Jasharajt nuk do të kishte as UÇK, as Liri, as Pavarësi as demokraci as parti. Bekim, sa herë të takoj ty, bacin Rifat, Besartën, e vij në vizitë te varret e 56 antarëve të familjes tuaj Jashari, e di që nuk do të me vrasë ndërgjegjja. Ju nuk jeni kalimtarë, Ju jeni themeli i pavarësisë e nderi i shqiptarisë. Në Skënderaj fitoi lakmia më shumë se lavdia! Me këtë rezultat nuk mund të mburret Drenica”, u shpreh tutje ai.

Ai tutje ka uruar partiakët e tij për fitore, Bedri Hamzën, Agim Aliun e Mehmet Ballazhin.

Bekim Jashari nga lista e pavarur “Ideal për Skenderaj” ka marrë 40,64 për qind të votave kurse kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Fadil Nura, mori 57,99 për qind.

Jashari ka ngritur dyshime për vjedhje dhe manipulim të votash.

Bekim Jashari me akuza për blerjen e votave me “trenin bullgar” në Skenderaj