Haxhiu pas raportimit të KALLXO.com: Hakmarrja e Prokurorisë ndaj sinjalizuesve, e papranueshme

Ish- deputetja dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për legjislacion nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas raportimit të KALLXO.com mbi përndjekjen e sinjalizuesve nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haxhiu ka kërkuar që Prokuroria të jetë shembull i mbrojtjes së sinjalizuesve, ajo t’i përndjek ata.

“Qëllimi i ligjit për sinjalizuesit, përveç tjerash, ka qenë vetëdijësimi i zyrtarëve për raportimin e shkeljeve brenda institucioneve por edhe garantimin e mbrojtjes për sinjalizuesit. I njëjti është ndër ligjet më të avansuara por fatkeqësisht pak zbatohet”, thuhet në reagimin e saj.

“Skandali më i madh dhe dekurajimi më i madh i sinjalizuesve, ndodhë atëherë kur në vend të nisjes së hetimeve ndaj abuzuesve, hetohen sinjalizuesit. Prokuroria e ka për obligim të jetë shembull i mbrojtjes së sinjalizuesve në rast se ndaj tyre hakmerren drejtuesit e institucioneve apo personat përgjegjës. Lajmi se prokuroria është vet në rolin e hakmarrësit, është i papranueshëm madje edhe i dënueshmëm me Kodin e ri Penal”, ka thënë ajo duke ju referuar raportimit të sotëm të KALLXO.com.

“Këto veprime duhet të ndalohen sa më parë. P.S vetëm procesi i vetingut e pastron sistemin”, thuhet në fund të reagimit të Albulena Haxhiut.

Prokuroria e Prishtinës ka nisur gjuetinë e shtrigave ndaj njerëzve të cilët zbuluan skandalin e lirimit nga përgjegjësia për shmangie tatimore të Morena Tarakut me rastin e importimit të një veture.

KALLXO.com raportoi para disa ditësh për rastin kur me urdhër të Prokurorisë së Prishtinës rasti ishte mbyllur duke konstatuar se gjatë importit nuk ishte kryer shmangie tatimore edhe përkundër që Dogana e kishte konstatuar një gjë të tillë.

KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prishtinës e cila mbylli rastin, ka nisur hetime penale për zyrtarët brenda Doganës e Policisë së Kosovës të cilët kishin qasje në dosjen e lëndës për të zbuluar se si u publikua në media ky skandal.

Prokurori i rastit Shpend Krasniqi i ka thënë KALLXO.com se rasti është nën hetime dhe nuk mund të japin informacione të tjera.

“Rastit është nënë hetime, nuk jap informacione” ka thënë Krasniqi.

Ligji për sinjalizuesit garanton mbrojtje për të gjithë zyrtarët shtetërorë të cilët, me qëllim interesin e publikut, zbulojnë të dhëna rreth pretendimeve për abuzim me detyrën.

Ky ligj iu ofron mbrojtje nga të gjitha format e përndjekjes ndaj atyre që për interes publik shpalosin informacion i cili vë në dukje se është duke ndodhur apo ka gjasë të ndodhë ndonjë keqpërdorim.

Skandaloze, Prokuroria e mbyll dosjen e Morena Tarakut për veturën e 235 mijë eurove

www.kallxo.com