Foto: KALLXO.com

Haxhiu: Nuk ka marrëveshje për shkak të insistimit të LDK-së për kryeparlamentar

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka konfirmuar se nga takimi i sotëm mes VV dhe LDK nuk është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje.

Sipas saj, kjo po ndodhë për shkak të insistimit të LDK-së që “për t’u kthyer para datës 26 dhjetor kur u votua Glauk Konjufca kryeparlamentar”, e për të cilën ajo thotë se mbetet e papranueshme për Vetëvendosjen.

“Do të doja që të thosha se marrëveshja është finalizuar, por s’mund ta them një gjë të tillë për faktin se LDK-ja po insiston në propozimin e saj të 8 janarit. Pas kësaj date ne kemi dhënë dy propozime të tjera por që u refuzuan nga LDK-ja, në këto takime që kemi pasur”, tha ajo.

“S’ka marrëveshje pikërisht insistimit të LDK-së për kthim të para datës së 26 dhjetorit. Është e papranueshme për ne. E kemi njoftuar QUINT-in për qëndrimet tona. Kemi parë të arsyeshme t’i takojmë bashkërisht që t’u japim gjendjen e qartë ku kemi mbërri sot. S’mund të them se takimet kanë përfunduar sepse kemi një javë në dispozicion për të finalizuar marrëveshjen. S’mund të garantojmë se do të bëhet, por do të garantoj për përkushtimin e VV-së që të punojë në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Pas takimit është deklaruar edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

“Si LDK ne jemi të bindur se zgjidhja të cilën e kemi ofruar kohëve të fundit është një zgjidhje që i kontribuon marrëveshjes qeverisëse, e cila balancon mbi suazat e votave dhe besimit të qytetarëve në zgjedhjet e tetorit. U shprehëm se mbesim të hapur në qoftë se LVV si parti e parë i pranon kushtet tona për bashkëqeverisje ne jemi të gatshëm në çdo moment të lidhim marrëveshje”, tha Isa Mustafa.

Në takim kanë qenë të pranishëm edhe ambasadorët e vendeve të Quint-it si dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Mustafa tha se ambasadorët kanë qenë vetëm për t’u informuar dhe jo si ndërmjetësues sic është raportuar.

KALLXO.com ka raportuar live për këtë takim.

Ambasadorët e Quint-it dhe shefja e Zyrës së BE-së arrijnë në Kuvend (FOTO)