Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haxhiu: Njerëz të grupit që u sanksionua nga ShBA priteshin në zyret e institucioneve tona

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur lajm jashtëzakonisht të mirë vënien në listën e sanksioneve të ShBA-së të grupit të krimit të organizuar në veri, të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq.

Haxhiu ka thënë se njerëz të këtij grupi nuk kanë pasur mbështetjen vetëm të Beogradit, por edhe të Prishtinës.

“Këto grupe kriminale, që hera herës priteshin edhe në zyret e institucioneve tona më te larta, fshihen prapa rezistencës që i bëjnë organeve të rendit për të sjell rend e ligj në atë pjesë të Republikës. Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë në luftimin e kriminalitetit në çdo cep te saj, ndërkaq sanksionet e ShBA-ve mbi këto grupe kriminale tregojnë qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit që terrorizojnë qytetarët e asaj ane”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja në kuadër të këtij Departamenti publikoi të mërkurën një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.