Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haxhiu: Nëse Qeveria s'di të siguroj vaksina, të hapë rrugë

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mossigurimin e vaksinave kundër COVID-19.

Haxhiu tha se nëse Qeveria nuk di si të sigurojë vaksina, duhet t’u hapë rrugën atyre që dinë si ta bëjnë këtë punë.

“Nëse nuk jeni të zotë me siguru vaksina, me udhëheqë, hapni rrugë. Ka njerëz që dinë me punu dhe me siguru vaksina. Duhet forca e të gjithëve bashkë për të siguruar vaksinat dhe për të vaksinuar qytetarët. Mobilizohuni, nëse nuk dini me punu siguroni ekspertë, sepse kështu do të vazhdojnë të humbin jetën shumë qytetarë të Kosovës”, theksoi Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, shtoi se imunizimi i qytetarëve nuk mund të bëhet me donacione.

“Pse nuk po i bleni ju vaksinat? Pse nuk ka kontratë? Mos u justifikoni me donacionet që po i merrni për vaksina. Nuk mund të bëhet imunizimi i qytetarëve me donacione. Mos na ofendoni as neve as qytetarëve”, theksoi Haxhiu.

KALLXO.com ka raportuar se në buxhetin e vitit 2021 Qeveria e Kosovës ka miratuar 40 milionë euro për qëllim të blerjes së vaksinave, por vaksinat ende janë duke vazhduar të merren vetëm donacion nga partnerët ndërkombëtar.

Kosova është vendi i fundit në Evropë i furnizuar me vaksinën kundër COVID-19.

Kosova nuk e bleu asnjë dozë vaksine për COVID-19