Haxhiu: Ndryshimet na lanë në gjysmë, LDK tradhtoi besimin e qytetarëve

Ministrja në largim e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se me votimin e sotëm LDK-ja u kthye në gjirin e vjetër, duke tradhtuar besimin e qytetarëve.

“Sot, Qeveria u rrëzua me mocionin e PLANifikuar nga Thaçi&Mustafa.LDK sikur edhe herëve të tjera iu rikthye gjirit të vjetër, iu rikthye atyre që e zhvatën shtetin që 20 vite. Ndryshimet që i nisëm për shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik e mirëqenien, arsimin e shëndetësinë, na lanë në gjysmë, LDK tradhtoi besimin e qytetarëve”, ka shkruar ajo në facebook.

Haxhiu ka thënë se që nga marrja e detyrës më 3 shkurt ka punuar vazhdimisht për qytetarët.

“Më 6 tetor, ju na dhatë mbështetjen për të qeverisur me vendin.Që nga 3 shkurti, ditën kur u votua Qeveria, ne kemi punuar pa u ndalur për të jetësuar programin e zotimet tona, me nderë e përkushtim”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë që Lëvizja Vetvendosje do të kthehet prapë, por më e fuqishme se herën e parë.

“Të dashur qytetarë, mos u dëshpëroni sepse ky shtet do të bëhet dhe do rikthehemi edhe më fuqishëm e edhe më të fortë dhe atë shumë shpejt dhe do t’i vazhdojmë punët e mira që i kemi nisur”, ka shkruar tutje ajo.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua sot nga një mocion i mosbesimit i iniciuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mocioni u votua me 82 vota për, 32 kundër, dhe 1 abstenim.117 deputetë ishin të pranishëm në sallë.

Qeveria Kurti u rrëzua në ditën e 52-të të qëndrimit në pushtet.

Shqyrtimi i mocionit të mosbesimit ndaj ekzekutivit ishte kërkuar të shtyhet për shkak të gjendjes së krijuar nga coronavirusi, nga i cili deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 71 raste.

Qeveria Kurti u miratua me 3 shkurt të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, të cilat të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në.