Haxhiu: Marrëveshja mund të bëhet sot por nuk garantojmë

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk po arrijnë marrëveshje për koalicion qeverisës.

Të dy këto parti sot kanë mbajtur mbledhje nëpër kryesi për të diskutuar lidhur me arritjen e marrëveshjes.

Albulena Haxhiu nga LVV deklaroi se shpresojnë që me LDK-në të arrijnë marrëveshje sot, por që deklaroi se nuk mund të garantojnë për shkak të barrikadave që po e pengojnë koalicionin.

Sipas saj, posti i Kryeparlamentarit e sidomos ai i Presidentit nuk duhet të diskutohet në kuadër të bisedimeve për harmonizimin e programit qeverisës.

“Unë besoj që nuk është rregull që para qytetarëve të krijomë shpresa se patjetër të bëhet koalicioni. Dje janë shpalosur të gjitha çështjet, ka qenë debat domethënës me shumë çështje që nuk janë thënë më përpara, ka qenë jashtëzakonisht konstruktiv, por nuk mund të them me garancë se marrëveshja do të ndodhë, do të bëjmë përpjekje maksimale”, theksoi Haxhiu.

“Kërkesa e LDK-së për të pasur Kryetarin e Parlamentit e sidomos Presidentin për VV-në është e padrejtë, nuk është në rregull që të flasim për emra. Mund të mos jetë as nga VV as LDK”, shtoi ajo.

Ajo më tej shprehu interesimin e partisë së saj për të “lëvizur” tutje.

“Ne po bëjmë përpjekje për të arritur një koalicion. Nuk mund të themi se kjo do të ndodh, për faktin se në anën tjetër kemi barrikadime. Unë mendoj se për aq kohë sa kemi barrikadime nuk mund të kemi koalicion”, tha Haxhiu.

Haxhiu paralajmëroi takimin e sotëm mes dy partive prej orës 16:00 në Kuvendin e Kosovës.