Haxhiu: LDK do gjysmën e qeverisë dhe gjithçka tjetër, jo faleminderit

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ka reaguar deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë se LDK e ka përdorur mbledhjen e Këshillit “për ta betonuar apetitin e tyre.”

Më tej Haxhiu ka thënë se LDK, përveç që do zv.kryeministrin e parë, 5 ministri dhe gjysmën e programit, ata duan edhe kryeparlamentarin edhe presidentin.

“Pra, e duan gjysmën e qeverisë dhe gjithçka tjetër! Jo falemnderit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Sot është mbajtur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Në këtë takim është biseduar lidhur me ecurinë e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për koalicionin e  mundshëm paszgjedhor.

Pjesëmarrës në këtë mbledhje janë parë figurat më të larta të partisë, si kryetari Isa Mustafa e nënkryetarët, Vjosa Osmani, Agim Veliu e Lutfi Haziri.

Pas mbledhjes, gazetarëve u është drejtuar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij tha se në mbledhjen e fundit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e kanë diskutuar edhe çështjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Mustafa tha se në këtë takim ka propozuar që nëse LVV zotohet ta mbështesë kandidatin e LDK-së për President, atëherë LDK është e gatshme të japë një nga 5 ministritë që i takojnë.

Mustafa: Nëse LVV zotohet të na mbështesë për presidentin, LDK heq dorë nga një ministri

“Unë kam propozuar që nëse LVV zotohet të japë votat për kandidatin për President të propozuar nga LDK, atëherë ne do të heqim dorë nga njëra ministri që na takon. Pra, që LVV të ketë 6 ministri e LDK 4. Por unë nuk kam parë një gatishmëri nga Vetëvendosje për këtë gjë”, tha Isa Mustafa.

Ndërsa kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar deklaratën e homologut të tij Isa Mustafa, i cili deklaroi se LDK mund ta ofrojë një ministri më shumë, në këmbim të postit të presidentit.

“Nuk dëgjova asgjë të re”, tha Kurti për KALLXO.com kur u pyet se si e komenton ofertën e Mustafës për ndarjen e ministrive, 6 për LVV-në e 4 për LDK-në, ku presidenti do t’i takonte LDK-së.