Albulena Haxhiu - Foto: Kallxo.com

Haxhiu kërkon nga Serbia transferimin në Kosovë të Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dulës

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu ka kërkuar nga homologia e saj serbe, transferimin e Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula në Kosovë pasi ata po mbahen në Serbi.

Haxhia ka thënë se Mehmetaj dhe Dula po mbahen në Serbi mbi pretendimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile në Kosovë gjatë vitit 1999.

Ajo ka theksuar se mbajtja e tyre në Serbi është shkelje e të drejteva të njeriut.

“Z.Mehmetaj dhe z.Dula janë qytetarë të Kosovës pra edhe nën mbrojtjen e Republikës. Procesi i deritanishëm ndaj dy qytetarëve të Republikës së Kosovës është i përbërë nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, për vite të tëra. Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”- ka shkruar Haxhiu në facebook.

Në nëntor të viti të kaluar, Gjykata e Lartë në Beograd ka dënuar me dy vite burg Petrit Dulën për pjesëmarrje në rrahjen e një civili në Kosovë në vitin 1999.

Ndërsa Nezir Mehmetaj nga komuna e Klinës tash e dy vjet është arrestuar në pikën kufitare në Merdare nën dyshimet për krime lufte dhe që prej asaj kohe po qëndron në paraburgim në Serbi.

Mehmetaj akuzohet nga Serbia për përfshirje në vrasjen e shtatë personave dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në Rudicë si anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.