Haxhiu: Jo monopoleve në sistemin e drejtësisë, konkursi për noterë hapet së shpejti

Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka anuluar procesin e noterisë ndërsa në anën tjetër ajo ka deklaruar se konkursi i ardhshëm do të hapet së shpejti.

Haxhiu ka anuluar tri vendime të cilat kanë të bëjnë me procesin e përzgjedhjes së noterëve.

“Konkursi i noterisë do të shpallet së shpejti, sapo ne t’i kryejmë disa procedura të brendshme, nuk do të vonohet sepse nuk do të lejojmë monopol mbi noterinë dhe po ashtu kemi shfuqizuar edhe vendimin për emërimin e komisionit për vlerësimin e noterëve, të cilët janë zgjedhur nga ministri i kaluar i drejtësisë, ata kanë mandat tri vjet dhe po ashtu kemi shfuqizuar vendimin për emërimin e komisionit për provimin e dhënies së noterisë si dhe disa vendime të tjera në lidhje me këtë proces”, ka deklaruar Haxhiu.

Rekrutimi i noterëve të rinj është pezulluar për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në testin e noterisë.

KALLXO.com kishte raportuar se në mesin e kandidatëve që kishin kaluar testin me shkrim ishte edhe Gentiana Bajraktari, vjehrri i të cilës, Nehat Idrizi, kryetar i komisionit të Noterisë, i kishte përpiluar pyetjet.

“Sipas legjislacionit në fuqi, procesi i noterisë organizohet, mbahet dhe përfundon duke pasur për bazë parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe objektivitetit me qëllim që të garantohet një proces i drejtë. Në anën tjetër i njëjti proces nuk ka pasur as ligjshmëri e as transparencë dhe as objektivitet. Në këtë drejtim unë si ministre e drejtësisë nuk mund të shtyjë përpara një proces të komprometuar. Unë si ministre e drejtësisë nuk mund të shtyjë përpara një proces me parregullsi dhe me humbje të besimit. Nuk mund të shtyjë përpara një proces ku shumica dërrmuese e kandidatëve që kanë kaluar provimin e noterisë janë militant, anëtar ose militant të anëtarëve të komisionit të noterisë dhe familjarë të tyre. Unë nuk mund të shtyjë përpara kur vazhdimisht kemi pasur deklarata nga shtetet mike të  Kosovës, siç është deklarata e ambasadorit gjerman i cili pati paralajmëruar se nëse do të emëroheshin këta noter aktet e tyre nuk do të njiheshin jashtë Kosovës. Po ashtu nuk mund ta shtyjë përpara këtë proces për sa kohë kam kërkesa të vazhdueshme dhe të drejta nga organizata të shoqërisë civile që provimi i noterisë të kthehet në pikën zero dhe në fund dhe nuk mund të shtyjë përpara  një proces të tillë pasi siç e dini është duke u hetuar edhe nga prokuroria. Prandaj sot kam marrë vendim që ta anulojë këtë proces, të gjitha shumat e paguara nga kandidatët do t’u kthehen kandidatëve”, tha Haxhiu sot në konferencën e parë për media si ministre e drejtësisë.

Për shkak të dyshimeve për parregullsi ishte kërkuar stopimi i procesit të emërimit të noterëve të rinj.

Thirrje në këtë drejtim kishte bërë edhe Zyra e BE-së në Kosovë, si dhe diplomatë të vendeve të ndryshme.

Lidhur me procesin e emërimit të noterëve ka pasur shumë reagime në publik lidhur me dyshimet se pati konflikt interesi gjatë procesit të përzgjedhjes së noterëve.

Madje ky proces u hetua edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Pas hetimit, AKK ka dalë me një opinion se gjatë procesit të emërimit të noterëve është evituar konflikti i interesit.

LIVEMinistrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mban konferencë për media rreth çështjes së noterëve

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 20 février 2020