Haxhiu i përgjigjet Isa Mustafës: LVV e ka kundërshtuar dhe e kundërshton 'Zajednicën'

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se Gjykata Kushtetuese e ka vërtetuar se marrëveshja për asociacionin e komunave serbe nuk e cenon Kushtetutën.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka thënë se ‘Zajdenica’ është synim dhe kërkesë e Serbisë që klasa politike ia ka mundësuar.

“‘Zajednica’ është edhe synim edhe kërkesë e Serbisë, të cilën kjo klasë politike ja ka mundësuar si synim dhe normalizuar si kërkesë, herë nëpërmjet të ashtuquajturve “normalizim i marrëdhënieve” e herë si “normalizim ekonomik””, ka thënë ajo.

Sipas saj, aktgjykimi i GJK-së praktikisht hedh poshtë idenë e një “Zajednice” që sipas saj e kanë nënshkruar Thaçi në prill 2013 dhe Mustafa në vitin 2015.

Mustafa po ashtu i tha LVV-së sot se po e mbështesin një marrëveshje që e ka nënshkruar presidenti, Hashim Thaçi.

“Parimisht e prakitikisht mund të thuhet se nuk mund të ketë edhe Republikë edhe Zajednicë. Isa Mustafa që paska reaguar me shumë vrer duke tentuar ta justifikojë vetën se ai i përket ‘Zajednicës’ së 2015-ës ka harruar se edhe atë të 2013-ës e ka mbështetur. Sikurse në shumë pika Mustafa e Thaçi janë vetëm dallim kohor”, tha ajo.

Ajo ka theksuar se LVV e ka kundërshtuar e i kundërshton ashpër të dyja.

“Ne nuk jemi për Zajdenicën e Thaçit sikurse nuk jemi as për atë të Mustafës, sepse ato janë të dyja “Zajednicë” e Serbisë, për të cilën ju kemi paralajmëruar me kohë dhe kundërshtuar fuqishëm. E dimë tash që jeni në sikletin e përpjekjes së tretë, por jeni pa legjitimitet, pa ligjshmëri. Ju mund t’i zotoheni Vuçiqit, po ato zotime vlejnë vetëm për ju. Sovraniteti dhe unitariteti i Kosovës nuk mund të ndryshohen. Kosova është Republikë”, ka thënë në fund ish-deputetja e LVV-së.

Sot, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe kritikave ndaj kryeministrit Avdullah Hoti.

Mustafa përmes një postimi në Facebook ka shkruar se LVV po pajtohet të themelohet Asociacioni sipas Marrëveshjes së nënshkruar nga presidenti Hashim Thaçi, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka nisur procedurat për të thirrur në interpelancë kryeministrin Avdullah Hoti në lidhje me deklaratën e këtij të fundit se marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe do të zbatohet.

Vetëvendosje pretendon se qëndrimi i kryeministrit Hoti është në shpërputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që kishte nxjerrë se në të paktën 23 pika, marrëveshja e 2015 është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Zajednica është projekt i vdekur, i shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese pas kundërshtimit qytetarë dhe opozitarë. Avdullah Hoti nuk mund t’i imponojë Kosovës dhe popullit të saj një projekt kundërkushtetues dhe që rrënon mundësinë për një shtet unitar dhe funksional”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.