
Haxhiu i del krah Kurtit për akuzat ndaj Prokurorisë Speciale
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka dalë në mbrojtje shefit të saj, kryeministrit Albin Kurti, i cili një ditë më parë tha se prokurorët e Kosovës “në hetime, po janë lepuj për Qeverinë dhe kërmij për të tjerët”, duke akuzuar edhe vetë kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn.
Ministrja Haxhiu ka mbajtur të hënën, më 30.12.2024, një Konferencë për media, ku ka folur rreth punës së Ministrisë që ajo drejton gjatë vitit 2024.
Gjatë Konferencës, ministrja Haxhiu është pyetur edhe për Konferencën e thirrur nga kryeprokurori Blerim Isufaj, deklaratat e Kryeministrit për Prokurorët, si dhe për thirrjen e Kurtit për t’u intervistuar në Prokurorinë Speciale.
Haxhiu tha se nuk e di arsyen pse kryeprokurori Isufaj kishte thirrur Konferencë, por ka shtuar ajo, nëse e ka bërë për shkak të deklaratave të Kurtit “kjo është për keqardhje.”
Konferenca e Haxhiut po mbahej në kohën e njëjtë me atë të Isufajt, të thirrura nga ora 13:00, më 30.12.2024.
“Ajo çka ka thënë Kryeministri mbrëmë është e saktë. Është e vërtetë. Si është e mundur që Qeveria e Kosovës ka dorëzuar mbi 200 dosje të korrupsionit nëpër institucione, që ne i udhëheqim si Qeveri dhe nuk është bërë asgjë në drejtim të ndjekjes penale. Madje, shumë prej lëndëve që i ka deponuar edhe Ministria e Drejtësisë, Prokuroria Speciale i ka mbyllur. Por, si është e mundur që iniciohen ndjekje penale “deklarim i rremë” vetëm për një deklarim të rremë në ndonjë prej portaleve?” – tha Haxhiu.
“Siç po duket kryeprokurori Isufaj më shumë shërben aty për të luftuar qeverisjen e LVV-së, rrjedhimisht reformën në Drejtësi, se sa për t’u kujdesur për drejtësinë në vend.” – tha ndër të tjerash Haxhiu.
E pyetur rreth thirrjes së Prokurorisë për Kryeministrin, Haxhiu tha se kryeministri Kurti nuk ka refuzuar të japë dëshminë e tij, por ka caktuar orë e data për intervistë. Njëjtë ka thënë Haxhiu, sikurse ka pasur raste edhe herëve të tjera kur janë intervistuar në zyrë.
“Qëllimet dihen, e ka thënë mbrëmë edhe kryeministri Kurti, e ka paraqitur Blerim Isufajn si një regjisor që dëshiron që të shihet Kryeministri të hyjë në ndërtesën e Prokurorisë Speciale dhe të thuhet në media vendore e ndërkombëtare që Kryeministri paska qenë për një aferë korruptive.” – tha ajo.
Gjatë Konferencës, Haxhiu ka potencuar arritjet që – sipas saj – janë bërë në vitin 2024, nga Ministria që ajo drejton.
Ajo ka thënë se MD-ja gjatë 2024 ka hartuar Koncept-Dokumentin për Vetingun në Sistemin e Drejtësisë, themelimin dhe funksionalizimin e Gjykatës Komerciale, miratimin e Ligjit për Gjykatën Administrative, miratimin e Ligjit për themelimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme, gjithashtu edhe Ligjin për Reformën në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe themelimin e Institutit për Krimet e Luftës.
Ndërsa, tha se opozita dhe persona brenda institucioneve të Drejtësisë kanë penguar apo vonuar reformat e ndërmarra nga MD-ja në Sistemin e Drejtësisë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në një Konferencë për media, të thirrur për të shpalosur rezultatet e Prokurorisë Speciale për vitin 2024, u përgjigj edhe në lidhje me deklarimin e kryeministrit, Albin Kurti se ftesa për të dëshmuar i ishte dërguar nga Prokuroria, me qëllim që të bëhej lajm ndërkombëtar.
“Unë s’kam asgjë me askënd dhe me thënë të vërtetën, as nuk e kam shiku çfarë ka thënë.” – u shpreh Isufaj, më 30.12.2024.
Kurti, në një intervistë në KTV, më 29.12.2024, akuzoi Isufajn si “regjisor i kësaj situate”.