Haxhiu: Hoti është asistent i Isa Mustafës

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas deklaratave të emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për shkak se vetë e kanë nënshkruar.

Haxhiu ka thënë se vetëm qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund t’ia kërkojnë Asociacionin pasi të njëjtit e kanë kundërshtuar vazhdimisht.

“Vetëm qeverisë së LVV nuk mund t’ia kërkojnë Asociacionin, meqenëse ne e kemi kundërshtuar edhe në vitin 2013 por edhe në vitin 2015”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Më tej ish-ministrja Haxhiu ka shtuar se Hoti është shumë i përshtatshëm për t’i bërë presion.

“Hoti është tejet i përshtatshëm për t’i bërë trysni pasi që është asistent i Isa Mustafës, nënshkruesit të ‘Zajednices’ me 25 gusht 2015, në dokumentin ku kërkohej vetëm parafrimi”, ka theksuar Haxhiu.