Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haxhiu: Gjatë dy javëve të fundit janë realizuar gjashtë ekstradime në pesë shtete

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se gjatë dy javëve të fundit janë kryer gjashtë ekstradime në pesë shtete të ndryshme.

Ekstradimet janë kryer në Francë, Zvicër, Gjermani, Itali dhe Belgjikë.

Po ashtu Haxhiu ka thënë se plotësim- ndryshimi i Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale, do të lejojë ekstradime më të shpejta me standarde ndërkombëtare.

Ky është postimi i plotë i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu:

Gjatë dy javëve të fundit janë realizuar gjashtë ekstradime me Francën, Zvicrën, Gjermaninë, Italinë dhe Belgjikën. Përmes realizimit të këtyre ekstradimeve, personat e kërkuar për vepra penale do të ballafaqohen me procedurë penale ose do të vuajnë dënimin e shqiptuar nga autoritetet gjyqësore.

Për më shumë, të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale.

Me ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji do të ketë ekstradime më të shpejta duke ngërthyer gjithmonë standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. 

Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar në luftimin e krimit transnacional dhe në ndërmarrjen e veprimeve të përcaktuara me rendin juridik të Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.