Haxhiu: Është bërë punë e jashtëzakonshme për të zbuluar rrethanat për plagosjen në veri

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se është bërë punë e jashtëzakonshme për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e plagosje së qytetarit serb në Leposaviq.

Haxhiu ka thënë se Policia e Kosovës gjatë kësaj kohe ka pasur përpjekje maksimale për të luftuar kriminalitetin në atë pjesë të vendit tonë dhe për të mbrojtur qytetarët tanë pa marrë parasysh etnitetin.

“Është bërë punë e jashtëzakonshme për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat për plagosjen e qytetarit serb. Policia e Kosovës është Policia më kredibile në rajon dhe gjatë kësaj kohe ka pasur përpjekje maksimale për të luftuar kriminalitetin në atë pjesë të vendit tonë dhe për të mbrojtur qytetarët tanë pa marrë parasysh etnitetin. Sigurisht që dënojmë rastin dhe menjëherë 4 policë janë suspenduar, 4 zyrtarë policor janë në mbajtje sepse siç jam informuar ende nuk është caktuar masa e paraburgimit, për këtë vendosin institucionet e drejtësisë njëri për tentim vrasje dhe tre të tjerë për mos raportim të veprës penale”- ka thënë Haxhiu.

Ajo tutje ka thënë se i fton institucionet e drejtësisë që të adresojnë këtë rast me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë.

Zyrtari policor i Njësisë Speciale Operative, K. Pepaj është ndaluar për 48 orë nën dyshimet se ka kryer veprat penale të vrasjes në tentativë, manipulimit me prova dhe moslajmërimit të veprës penale ndërsa tre policë të tjerë S. Uka, M. Muqiqi dhe F. Maloku po dyshohen se kanë kryer veprën penale të moslajmërimit të veprës penale.

Katër policët special janë arrestuar mbrëmjen e kaluar nën dyshimet për përfshirjen e plagosjes së një qytetari në veri të Mitrovicës më saktësisht në Leposaviq te vendi i quajtur si “Ura e Bistricës”.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni. I njëjti konfirmoi për ekipin e KALLXO.com se prokurorja e rastit do të kërkojë masë të sigurisë.

“Deri më tani ende nuk e kemi marrë të gjithë dosjen nga hetuesit policorë, por gjithsesi prokurorja sapo ta pranoj dosjen do të kërkoj masë të sigurisë. Masa e sigurisë do të bëhet varësisht sic parashihet përmes veprave penale që dyshohet se kanë kryer të dyshuarit. Deri më tani kemi një të ndaluar për tri vepra penale dhe tre të tjerë për një vepër penale”- tha Preteni për KALLXO.com.

Plagosja e qytetarit në Leposaviq, Prokuroria do të kërkojë masën e sigurisë për policët e arrestuar