Albulena Haxhiu, deputete nga radhët e Vetëvendosjes

Haxhiu: Edhe pas 4 viteve mungon drejtësia për Astrit Deharin

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu ka thënë që vdekja e aktivistit, Astrit Dehari është krimi më i rëndë që ka mundur të ndodhë në Kosovë.

“Vrasja e Astritit ka qenë krimi më i rëndë që ka mundur të ndodhë në Kosovë. Një qytetari e aktivisti politik i ishte m’veshur një vepër e rëndë, ndër më të rëndat që njeh legjislacioni penal, sikurse edhe aktivistëve të tjerë. Por Astriti nuk doli i gjallë nga burgu. Por ndonëse kanë kaluar 4 vite prej vrasjes së Astritit, ende nuk ka drejtësi për Astritin. Ende nuk ka arritur prokuroria të gjej përgjegjësit”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Tutje, Haxhiu ka përmendur raportin zviceran për rastin Dehari.

“Prej momentit kur është publikuar raporti i Institutit Zviceran, duke pasur parasysh që prokuroria e Prizrenit, konkretisht Sylë Hoxha, kishte paragjykuar rastin e Astritit dhe kishin dhënë deklarata që ka qenë vetëvrasje, pas raportit të Institutit zviceran, ne kemi kërkuar që rasti të transferohet në prokurorinë speciale por qëllimi i kërkesës tonë ka qene që prokuroria speciale të trajtonte e hetonte në detaje rastin, pa ndikime, me seriozitet dhe profesionalizëm”, ka theksuar ajo.

“Por ja ku jemi sot, 4 vite pas vrasjes së Astritit dhe 1 vit nga koha kur ky rast i ka kaluar Speciales, ende mungon drejtësia për Astrit Deharin”, shtoi Haxhiu.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë thirrje tek institucionet e drejtësisë që të merren me zbardhjen e këtij rasti.

“Përmes kësaj konference, edhe njëherë por tani në 4 vjetorin e vrasjes së Astritit, bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë për trajtim të duhur e të pandikuar të rastit Dehari. 5 vjetori i vrasjes së Astritit nuk do të duhej të na gjente me kërkesën për drejtësi. Në 5 vjetorin e vrasjes së Astritit, drejtësia do të duhej të shkonte në vend”, ka theksuar ajo.

Poashtu Haxhiu ka kërkuar ‘që të ndërpritet përndjekja ndaj aktivistëve, sepse asnjëri prej tyre nuk kanë fare të bëjnë me rastin në fjalë. Sulmi ndaj Kuvendit, është inskenuar nga dikush tjetër por të njëjtin kanë tentuar t’ia m’veshin lëvizjes vetëvendosje, aktivistëve të saj’.

Në fund, ajo ka falënderuar shtetin zviceran për punën e bërë gjatë hartimit të raportit të vdekjes së aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari, 4 vite më parë.

“Përmes kësaj konference, duam të shprehim po ashtu falënderimin tonë për mbështetjen e shtetit zviceran, konkretisht institutit zviceran, për vullnetit dhe gatishmërinë për të zbardhur të vërtetën dhe për vizitën e tyre në Kosovë në fund të tetorit”, ka theksuar ajo.

Në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, me 5 nëntor 2016, në rrethana ende të pasqaruara, vdiq aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Në ora 20:00 të gjithë aktivistët, anëtarët e simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje por edhe qytetarët janë ftuar që të ndezin qirinj në ballkonet e shtëpive e banesave në përkujtim të jetës dhe veprës së aktivistit Astrit Dehari.

 

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për rastin e Astrit Deharit mund t`i lexoni duke klikuar në LINK