Haxhiu e shqetësuar për rrjedhjen e qëndrimeve të Kushtetueses pa u marrë vendimi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka shprehur shqetësimin se si orientimet e para të vendimit  të Gjykatës Kushtetuese po qarkullojnë.

“Qytetarët kanë plotësisht të drejtë që të zemërohen. Në njërën anë thuhet ‘mos ndërhyni në pavarësinë e Gjykatës’, e në anën tjetër orientimet e para të tyre qarkullojnë tek disa, përfshirë edhe në medie! Si ka mundësi të dihet aktgjykimi e mënyra e votimit, pa u bërë publik ende nga Gjykata”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj nëse është kështu, atëherë kjo nuk është pavarësi e Gjykatës.

“Vendimi i tillë është arnim i aktgjykimit për interesa të Thaçit dhe atyre që kanë humbur zgjedhjet dhe janë braktisur nga populli. Gjykata në mandat të saj, ka vetëm interpretimin e Kushtetutës dhe jo amendamentimin e saj. Amendamente kushtetuese mund të propozojnë vetëm Qeveria, Presidenti dhe 1/4 e deputetëve por pastaj ato duhet të votohen nga Kuvendi”, ka shkruar Haxhiu.

Haxhiu ka shkruar se sipas Kushtetutës, nuk ka afat për mandatarin.

“Gjykata nuk mund të caktojë afat. Kjo do ta shkatërronte rendin kushtetues dhe demokracinë.Kjo do ta përmbysë vullnetin e popullit”, përfundoi Haxhiu.

Gjykata Kushtetuese momentalisht po e shqyrton kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetueshmërisë së dekretit të Presidentit për Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër.