Haxhiu e quan lirimin e Pantiq nga paraburgimi akt të rëndë e të papranueshëm

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj ndryshimit të masës së sigurisë për ish-policin Dejan Pantiq, nga ajo e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak.

Dejan Pantiqin dyshohet për sulm me mjete shpërthyese në zyrat e KQZ-së.

Ajo e ka quajtur këtë veprim si aktin më të rëndë që mund t’i bëhej vendit nga institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit kushtetues.

“Nuk di si ta kuptoj dhe si është e mundshme që dikush që akuzohet për një vepër aq të rëndë  që ka të bëj me terrorizëm, të shkoj në arrest shtëpiak madje sipas legjislacionit, për shkak të peshës së rëndë të veprës penale, nuk mund të shqiptohet një masë e butë sikur ajo e arrestit shtëpiak.” – ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ministrja tha se nuk ka pasur ndonjë ëndërr që sistemi i drejtësisë do të çlirohet pa reformën në drejtësi por kjo që ka ndodhur sot, sipas saj është e papranueshme dhe diçka që do të ngelet në historinë moderne të Kosovës.

“Në vend se institucionet e drejtësisë të mbronin rendin kushtetues e qytetarët, njësoj sikur po angazhohet policia edhe fizikisht në veriun e vendit tonë, këta prej zyrave të tyre marrin vendime aq të dëmshme e të cilat përveç tjerash janë inkurajim për bandat kriminale e terroriste në veriun e vendit tonë” – ka shkruar Haxhiu tutje në Facebook

Sot gjatë ditës, kryeministri Kurti foli për kureshtjen e tij për të kuptuar se kush është prokurori dhe gjykatësi, që kërkuan e morën vendim për ndryshim të masës ndaj Dejan Pantiqit.

“Pra është gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e kërkesës së përkatësit të prokurorit, mirëpo kur ke një akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak unë jam shumë kureshtar ta shoh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon” – shtoi Kurti.

Kurti: Jam kureshtar të di se cili prokuror e kërkoi arrestin shtëpiak të Pantiq dhe cili gjyqtar e aprovoi

Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.

Ndaj Pantiqit ekziston dyshimi se organizoi sulmet e 6 dhjetorit të 2022-ës që ndodhën ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Sulmi ndodhi gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Ndaj Pantiqit, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

Arrestimi i tij bëri që nga data e lartcekur e deri më sot rrugët e veriut të Kosovës të jenë të bllokuara nga barrikada që u vendosën në komunat me shumicë serbe.