Haxhiu: Dy gra që është dashur të veprojnë për të mbrojtur jetën e tani të ndjerës - asnjëra nuk i ka kryer detyrat

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar sërish në lidhje me vrasjen e një gruaje në Llaushë të Skenderajt. Ajo ka thënë se rasti është neglizhuar nga prokurorja e rastit.

“Sipas informatave zyrtare, prokurorja kujdestare ka kërkuar që rasti  të kualifikohet si “Dhunë në Familje” por edhe përkundër kësaj kishte kërkuar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt pra që dhunesi të mbetet i lirë!”, thuhet në reagimin e ministres Haxhiu.

“Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme që të mos ketë tolerancë ndaj rasteve të dhunës në familje pra që dhunuesit të shkojnë prapa grilave, sërish neglizhohen këto raste të ndjeshme”, ka thënë ajo.

Në fund, ajo tha se për raste të tilla, kur neglizhenca vjen nga institucionet shtetërore, duhet të merren masa.

“Ndërsa mbrojtësja e viktimave paska kërkuar dërgim me email të lëndës në vend se të shkonte tek viktima sa ishte në polici. Dy gra që është dashur të veprojnë për të mbrojtur  jetën e tani të ndjerës dhe asnjëra nuk i ka kryer detyrat prandaj duhet të ndërmerren masa urgjentisht!”, thuhet në reagimin e saj.

Ky është reagimi i dytë brenda një ore i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Reagon ministrja e Drejtësisë pas vrasjes në Llaushë të Skenderajt

Një grua 48-vjeçare është vrarë dje në fshatin Llaushë të Komunës së Skenderajt. Personi i dyshuar për këtë vrasje është bashkëshorti i saj 51 vjeçar.

51-vjeçari Skender Qerimi është arrestuar dhe i është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa nga policia është sekuestruar një armë e llojit pistoletë me tre fishekë, kurse në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 5 janar rreth orës 13:40.

Skender Qerimi me urdhër të Prokurorisë së Mitrovicës është ndaluar 48 orë.

Vrasja në Llaushë – Viktima e kishte lajmëruar rastin në Polici 5 ditë para se të vritej, i dyshuari ishte lënë i lirë

www.kallxo.com