Haxhiu: Dokumentacionet për krimet e luftës, armë e fuqishme kundër manipulimit të historisë nga Serbia

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se është punuar për drejtësinë transicionale dhe adresimin e krimeve të luftës së fundit në Kosovë. 

Sipas Haxhiut, në kuadër të Institutit për Krimet e Luftës në Kosovë, i cili tha se është themeluar më 08.11.2023, janë mbledhur një sasi e kosniderueshme e materialeve dhe se kjo, sipas ministres, është “një armë e fuqishme kundër mohimit dhe manipulimit të historisë sonë nga Serbia”.

Ministrja e Drejtësisë tha se ky Institut ka për qëllim dokumentimin e krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. 

“Para disa ditëve Instituti ka publikuar raportin njëvjeçar të punës, ku ka treguar progres për një kohë tepër të shkurtër, dhe mes tjerash është mbledhur një sasi e konsiderueshme e materialeve që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Materialet e dokumentuara janë mbledhur nga 67 burime të ndryshme” – deklaroi Haxhiu, të hënën, më 13.12.2024, në një konferencë për media. 

Haxhiu njoftoi po ashtu se në Departamentin e Krimeve të Luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale tashmë janë 67 aktakuza të ngritura, në 62 raste, ndaj 174 personave, prej tyre 10 raste janë duke u gjykuar në mungesë dhe pritet që ky numër të rritet edhe në vazhdimësi. 

Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se në kuadër të Qeverisë është themeluar edhe një grup punues për dokumentimin e shkatërrimit të qëllimshëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës gjatë luftës në vitet 1998-1999. 

“Ky grup punues ka konstatuar se gjatë luftës, në mënyrë të qëllimshme, Serbia ka shkatërrruar afër 1 mijë e 800 monumente të trashëgimisë kulturore të Kosovës, ka grabitur mbi 3 mijë e 700 artefakte, objekte muzeale nga koleksioni publik muzear i Kosovës” – tha Çeku.

Përveç kësaj, ministri tha se po ashtu shteti serb në këtë periudhë ka grabitur dokumentacionin zyrtar të monumenteve me qindra mijëra dosje dhe se ka shkatërruar dhe grabitur qindra vepra të artit.