Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Kosovës Albulena Haxhiu dhe ministri i Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë Ulsi Manja

Haxhiu dhe Manja flasin për shtetasit kosovarë të dënuar në Shqipëri

Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Kosovës Albulena Haxhiu dhe ministri i Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë Ulsi Manja kanë mbajtur sot një konferencë për media.

Haxhiu para gazetarëve tha se në këtë takim me ministrin Manja u diskutua për temat e përbashkëta të dy Republikave, të arriturat në këtë drejtim si dhe për mundësitë e reja për avancimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për neve si qeveri por sidomos edhe për qytetarët e Kosovës, po besoj për të dyja vendet. Kështu përgjegjësia jonë përveç se politike është edhe historike”- tha Haxhiu teksa përmendi edhe disa prej temave që janë diskutuar në këtë takim.

“Njoftova ministrin e drejtësisë për reformat që kanë nisur e që disa prej tyre realisht po përmbyllen, pra që ndërlidhen me mandatin e ministrisë së drejtësisë, pra reforma në vettingun në sistemin e drejtësisë, ligjet që kanë të bëjnë me fuqizimin e sistemit prokurorial, aspekti i konfiskimit civil. Madje te ky aspekt u lëshuam më shumë në diskutime sepse besoj që është në interes edhe të Republikës së Shqipërisë që ta kenë një institucion që do ta verifikojë pasurinë e zyrtarëve njësoj sikurse po e bën Republika e Kosovës”- ajo.

Haxhiu tutje përmendi se në këtë takim u adresuan edhe tema që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe dhunën me baza gjinore dhe për veprimet që ka ndërmarrë Republika e Kosovës në drejtim të adresim të krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

“Në takimin tonë theksova se ministria e drejtësisë së Kosovës është  e nderuar që kanë nisur punimet me ministrinë e drejtësisë së Shqipërisë me qëllim të realizimit të zotimeve tona që lidhe me negocimin dhe arritjen e një marrëveshjeje për njohjen e zbatimit të dënimeve alternative që do të mundësojë që shtetasit kosovarë të liruar me kusht nga organet e Shqipërisë të mbikëqyren nga shërbimi sprovues i Kosovës dhe anasjelltas” – u shpreh Haxhiu.

 

Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Kosovës Albulena Haxhiu dhe ministri i Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë Ulsi Manja

Në anën tjetër, ministri i drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, Ulsi Manja tha se ky takim është shprehje e qartë e vullnetit të përbashkët të dy ministrive për të quar përpara marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve.

“Në përbërje të këtij delegacioni të madh nga kabineti i ministrit por edhe nga zyrtarë të drejtorisë së përgjithshme të burgjeve dhe shërbimit të sprovës së Shqipërisë është shprehje e qartë e vullnetit të përbashkët të dy ministrive tona për të quar përpara të gjitha marrëveshjeve që kemi nënshkruar e mbledhjes së dy qeverive tona edhe në Elbasan por edhe në takimin e fundit në Prishtinë” – tha ai.

Manja tutje theksoi para media se sa i përket bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe qeverive nuk ka asnjë pengesë në bashkëpunimin t si në bashkëpunimin në fushën penale po ashtu edhe bashkëpunimit në fushën civile dhe tregtare.

“Lidhur me bashkëpunimin në fushën civile dhe tregtare pas datës 30 qershor 2022 dua ta bëjë të qartë për qytetarët e dy Republikave që nuk ka më asnjë pengese ligjore për bashkëpunim civil dhe tregtar, që do të thotë se shtetasit e Kosovës kanë të njëjtat të drejta siç i gëzojnë qytetarët e Shqipërisë për të bashkëpunuar lirshëm në fushën civile dhe tregtare” – u shpreh ai.

Ministri i Republikës së Shqipërisë përmendi po ashtu se janë 284 shtetas të Republikës së Kosovës që paraqiten çdo muaj në shërbimin e provës në Shqipëri.

“Siç e përmendi Albulena do të kemi shumë shpejtë një marrëveshjeje për sa u përket shtetasve kosovarë të dënuar me dënime alternative në Republikën e Shqipërisë. Është një numër rreth 284 shtetas të Republikës së Kosovës që paraqiten çdo muaj në shërbimin e provës në Shqipëri, por tash e mbrapa pas zbatimit të marrëveshjes do të jetë Shërbimi Korrektues në Kosovë që do t’i mbikëqyrë dënimet alternative të shqiptuara nga gjykatat në Shqipëri”.

Manja foli edhe për njohjen reciproke të provimit të jurisprudencës

“Kemi rënë dakord dhe shumë shpejtë do ta konkretizojmë edhe njohjen reciproke të provimit të jurisprudencës… po ashtu po bëjmë përpjekje dhe së shpejti do të kemi rezultate konkrete edhe për profesionet e lira: avokatinë, përmbarimin, noterinë, përkthyesit zyrtarë, ndërmjetësitë e pasurive të paluajtshme, shërbimin e ndërmjetësimit”- tha ministri duke shtuar se do të jetë një treg i hapur punë për profesionistët e ligjit në të dy vendet