Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Haxhiu: Deputetët e LVV-së s'e votuan Projektligjin për çmimin e barnave vetëm pse ai u propozua nga PDK-ja

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se Projektligji për çmimin e barnave nuk u miratua në Kuvendin e Kosovës nga partia në pushtet për shkak se ishte propozuar nga PDK-ja.

“Ne e kemi pru në Kuvend Ligjin për çmimin e barnave, LVV-ja s’e ka votu” – ka thënë Haxhiu në emisionin “Kallxo Përnime”.

Lidhur me këtë deklaratë janë kundërpërgjigjur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta dhe deputeti i partisë GUXO, Haxhi Avdyli.

Deputeti Shkreta tha se Projektligji i propozuar nga PDK ka pasur disa mangësi.

Ai tha se Projektligji i ri për çmimin e barnave do të vijë së shpejti në Kuvend.

“Jemi duke e parë me kujdes, Ligji për barna ka disa probleme, për të cilat ne jemi kujdesur si grup parlamentar t’i përmirësojmë të njëjtat. Ligji do të vijë shumë shpejt në Qeveri dhe do të vijë në Kuvend. Ligji i ka kryer të gjitha hallkat. Ka ardhur iniciativa që e kanë marrë PDK-ja, por Ligji ka pasur defekte shumë” – ka thënë ai.

I pyetur nëse kanë votuar kundër këtij Projektligji vetëm pse ka ardhur prej partisë opozitare PDK, Shkreta është përgjigjur duke thënë “absolutisht jo”.

Ndërsa për këtë deputeti Haxhiu ka insistuar se kjo është arsyeja kryesore.

“Veç për qeta dhe është e vërtetë, që vetëm pse e ka bërë Floretë Zejnullahu farmaciste e PDK-së” – ka thënë Haxhiu.

Edhe deputeti i partisë GUXO ka thënë se do ta përkrahin nëse nuk do të kishte mangësi.

“Ne si deputetë do ta kishim përkrahur këtë iniciativë sepse është shumë e mirë” – ka thënë Haxhi Avdyli.

Në korrik të këtij viti, Kuvendi nuk e pati miratuar në parim Projektligjin për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale.

Më 19 vota për, 42 vota kundër dhe dy abstenime, ky Projektligj nuk e kishte marrë përkrahjen e deputetëve për t’u miratuar në parim.