Haxhiu: Dënimi i Ratko Mlladiqit, lajm i mirë për drejtësinë ndërkombëtare

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se dënimi me burgim të përjetshëm i ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, është lajm i mirë jo vetëm për mijëra familje që kanë humbur më të dashurit e tyre por edhe për vetë drejtësinë ndërkombëtare.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë e ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiqit.

Ratko Mlladiq, ish-komandanti i Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republikës Srpska nga 12 maj 1992 deri të paktën më 8 nëntor 1996, u dënua për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

“Lajmi për dënimin me burgim të përjetshëm të kriminelit të luftës dhe njërit ndër udhëheqësit e gjenocidit në Bosnjë, Ratko Mladiq është sigurisht lajm i mirë jo vetëm për mijëra familje që kanë humbur më të dashurit e tyre, por edhe për vet drejtësinë ndërkombëtare. Për këtë krim nuk është fajtor vetëm Mladiq, por edhe vet Serbia si përgjegjësja dhe planifikuesja e këtij gjenocidi”, ka shkruar ministrja Haxhiu në Facebook.

Haxhiu ka shkruar tutje se “shteti i Serbisë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit ka kryer gjenocid edhe në Kosovë, përveçse paraprakisht në Bosnjë”.

“Krimet e kryera në këto dy vende nuk janë individuale, ato i gjejmë të planifikuara e urdhëruara nga vet shteti serb.  Në këtë drejtim është e domosdoshme që krahas evidencës shtetërore përmes Institutit për Krimet e Luftës dhe fuqizimit të institucioneve të drejtësisë për adresimin e krimeve të luftës, të përgatisim mirë edhe Padinë për Gjenocid ndaj Serbisë në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për mijëra të vrarë, mijëra gra e burra të dhunuara, mijëra shtëpi të djegura e shkatërruara e shumë pasuri të plaçkitur e vjedhur dhe një popull të tërë të përzënë nga trojet e tyre”, thuhet në publikimin e saj.