Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haxhiu: Akuzat e sistemit prokurorial janë të papranueshme

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka quajtur të papranueshme akuzat e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) kinse për ndërhyrje në drejtësi.

Sipas Haxhiut, deklarimet e saj për “pazare” brenda sistemit të drejtësisë janë të qëndrueshme dhe në përputhje me kriteret kushtetuese e ligjore.

“Që nga dita e parë kam punuar me përkushtimin më të madh në drejtim të krijimit të kushteve më të mira përmes politikave adekuate për sistemin e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë vazhdon të ketë probleme të natyrave të ndryshme për çka jemi dëshmitarë të gjithë. Çështja e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive dhe anëtarëve të KPK, gjithashtu ka qenë një problem tjetër për çka nuk kanë qenë vetëm shqetësimet tona të cilat i kemi bërë publike, por kanë qenë po ashtu reagimet e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kishin përcjellur shqetësimet serioze në këtë drejtim”, thuhet në postimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Haxhiu ka thënë se përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje, e që sipas saj, ndërhyrje mund t’i duken vetëm atyre që janë të përfshirë në kalkulime.

“Për mua si ministre e Drejtësisë janë të papranueshme akuzat e sistemit prokurorial kinse për ndërhyrje në drejtësi. Përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje. Ndërhyrje mund t’i duken vetëm atyre që janë të përfshirë në kalkulime. Deklarimet e mia janë të qëndrueshme dhe në përputhje me kriteret kushtetuese e ligjore në kuptim të ndarjes së pushteteve dhe me qëllim të adresimit sa më adekuat të problemeve. Asnjëherë nuk do t’i mbyllë sytë kundrejt të njëjtave. Si ministre e Drejtësisë, do të vazhdoj tutje që me përkushtim të adresoj problemet e sistemit të drejtësisë brenda kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore, në kuptim të ndërtimit të një sistemi sa më profesional, të pavarur dhe efikas. Vetëm kështu mund të kthehet besimi i qytetarëve në institicionet e drejtësisë. Këtë e kemi obligim”, ka thënë ajo.

Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një komunikate ka reaguar ndaj deklarimet e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për “grupe të fuqishme” dhe “pazare” brenda sistemit prokurorial.

KPK-ja, ka vlerësuar se pretendimet e Haxhiut për kinse ”manipulime” për zgjedhjen e pozitave menaxheriale nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, në këtë rast të pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit, është i pavërtetë dhe krejtësisht tendencioz.

“Në këtë kontekst, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pranuar me shqetësim edhe deklarimet e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilat si të tilla janë krejtësisht të pabazuara dhe bien ndesh me ndarjen e pushteteve, duke përbërë kështu ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit, përkatësisht sistemit prokurorial. Prandaj, një Ministre e Drejtësisë, e cila thirret në forcimin e sundimit të ligjit duhet të përmbahet nga deklarimet e tilla të paqëndrueshme. Me këtë rast e ftojmë të njëjtën që të tregojë konkretisht se për çfarë grupesh të fuqishme dhe pazaresh bëhet fjalë?! Zgjedhja e cilësdo pozitë nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfshirë këtu zgjedhjen e kryeprokurorëve të prokurorive përkatëse dhe Kryeprokurorit të Shtetit, bëhet në bazë të Kushtetutës,  ligjit, meritokracisë, transparencës, monitorimit të partnerëve ndërkombëtarë dhe standardeve më të larta profesionale, e jo nga dëshirat e partive politike, individëve të caktuar dhe grupeve të interesit”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Përveç KPK-së, sot për të njëjtat deklarata të Haxhiut ka reaguar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

KGjK ka thënë se deklarimet e ministres Haxhiu, janë të pabazuara dhe e dëmtojnë rëndë pavarësinë e sistemit gjyqësor, e që sipas tyre, gjithashtu bien ndesh me ndarjen e pushteteve, e që këto deklarata konsiderohen ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit.