Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haxhiu: Abuzuesit e dhunuesit nuk kanë vend në institucione

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arrestimit të zyrtarit policor nën dyshimin se ka kryer veprën penale – sulm seksual ndaj një të miture.

Haxhiu ka deklaruar se organet kompetente menjeherë duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe nëse këto dyshime vërtetohen, persona të tillë jo vetëm të largohen nga uniforma, por të marrin edhe dënimin e merituar.

“Policia e Kosovës, përveç mbrojtëse e lirive dhe të drejtave të garantuara, janë edhe shembull i tyre. Zyrtari i Policisë është mbrojtës i të cenuarve dhe jo akter i krimit e dhunimit. Ai do të duhej të ishte referencë për sjelljet e secilit qytetar dhe jo vet i përfshirë në dhunime siç ka dyshime për dhunimin e një vajze të mitur nga zyrtari policor. Organet kompetente menjeherë duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe nëse këto dyshime vërtetohen,  persona të tillë jo vetëm të largohen nga uniforma, por të marrin edhe dënimin e merituar”, ka shkruar ministrja në rrjetin social “Facebook”.

Sipas saj, abuzuesit e dhunuesit nuk kanë vend në shoqëri aq më pak në institucione.

“Republika e Kosovës duhet të jetë vend i respektimit të lirive dhe drejtave të njeriut ku krimi e dhunimi nuk do të gjejnë vend, ku këto fenomene negative jo vetëm të ndëshkohen por as edhe të stimulohen. Askush nën petkun e zyrtarit nuk guxon të ndihet autonom karshi ligjit. Abuzuesit e dhunuesit nuk kanë vend në shoqërinë tonë, aq më pak në institucione”, ka shkruar tutje Haxhiu.

Polici me inicialet R. Sh., është arrestuar gjatë ditës së sotme nga Inspektorati Policor i Kosovës me vendim të Prokurorisë së Gjilanit.

Pas arrestimit dhe intervistimit, polici është dërguar në ndalim për 48 orë.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës se një polic po dyshohet se kishte kryer veprën penale sulm seksual ndaj një të miture.