
Kandidatja e AAK-së, Teuta Haxhiu. Foto: Naser Fejza: KALLXO.com
Haxhiu (AAK): Mësimdhënësit e Gjuhës shqipe në diasporë do t’i paguajë shteti i Kosovës
“Mësuesit që japin lëndën ‘Gjuha Shqipe’ në shkollat në diasporë do të paguhen nga Qeveria e Kosovës”. Kështu planifikon koalicioni AAK-Nisma, nëse e fiton pushtetin pas Zgjedhjeve që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Këtë zotim të këtij koalicioni e ka transmetuar kandidatja për deputete nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, në “Debat Përnime”, më 14.01.2025.
Megjithëse nuk ka dhënë hollësi rreth këtij plani, ajo ka thënë se mësimin shtesë në diasporë, AAK do ta rregullojë me ligj, “pasi mësimdhënësit po punojnë atje në baza vullnetare ose të varur financiarisht nga bizneset”.
“Për mësimdhënësit që janë në diasporë do të marrë përgjegjësinë vet shteti i Kosovës që të paguajë pagat e tyre.” – tha ajo, pasi u ballafaqua me konstatimin e Kreshnik Gashit, se për t’u paguar mësimdhënësit nga shteti i Kosovës është jetike një Marrëveshje bilaterale mes Kosovës dhe shtetit përkatës.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim: