Haxhi Shala thotë se 50 anëtarë të Nismës në Vushtrri iu bashkuan AAK-së

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haxhi Shala, ka njoftuar se 50 anëtarë të Nismës Socialdemokrate në Vushtrri i janë bashkuar AAK-së.

Sipas Shalës, të sapoaderuarit kanë qenë anëtarë të forumit të rinisë së Nismës.

“Me vullnet të mirë, të gjithë së bashku janë mobilizuar për të kërkuar votë në çdo cep të Vushtrrisë dhe Kosovës, votë për AAK-në dhe Ramushin President.Rinia është shtylla e shtetit.  Vetëm të bashkuar mund të i’a dalim”, ka shkruar Shala.

Dje edhe AAK-ja ka publikuar listën e plotë të 110 kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Sipas kryetarit të kësaj partie, Ramush Haradinajt, i cili përmes këtyre zgjedhjeve synon të bëhet president, lista e AAK-së përbëhet prej grupmoshave të ndryshme, duke respektuar kuotën gjinore dhe të rinj e të reja të cilët sipas tij janë të përgatitur profesionalisht.

Lista e AAK-së me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit