Haxhi Shala - Foto: Facebook

Haxhi Shala: As nuk blej votën as nuk e shes, kurrë!

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka thënë se ai nuk e blen e as nuk e shet votën e tij.

Këto komente Shala i bëri në TV Dukagjini derisa shpjegoi natën mes 2 e 3 qershorit kur në shtëpinë e tij, pas mesnatës, i kishin shkuar presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai ka treguar hapur se mendjen për votë për Qeverinë Hotit ia kanë ndërruar Thaçi e Haradinaj.

“Për ata që më njohin, mujnë me pyet për familjen time, as nuk shitemi as nuk shantazhohemi, e as nuk përulemi. Kurrë në jetën time, as nuk e blej votën as nuk e shes, kurrë. Këtë të garantoj me çka të duash. Më kanë hy njerëzit brenda, është punë e kryer për mua. Më kanë thanë që nuk i kemi 61 vota, më ka thënë Ramushi tekstualisht, me votën tënde janë 61”, deklaroi deputeti Haxhi Shala.

“Ata bashkë kanë ardhur, kanë mujtë me u taku rastësisht, por te unë bashkë kanë ardhë. Ramushi mu ka lutë gjatë, ai më shumë. Për mua janë kanë dy miq. Në momentin që i kam pa të dera, thash vetë më vete: Me më ardhë në shpi nuk guxoj m’i kthy mbrapa pa kurrgjë, po s’e disha çka kanë ardhur. Ju thash: keni mujtë në telefon, veç me m’thanë. Me një makinë kanë ardhur”, tha deputeti i Nismës Socialdemokrate.

Vetë Haxhi Shala kishte deklaruar një ditë para se të votohej Qeveria Hoti se nuk do ta votojë atë.

‘Vota e artë’, Haxhi Shala thotë se Thaçi dhe Haradinaj i shkuan së bashku në shtëpi pas mesnatës