Haxhi Avdyli - Skender Hysenit: Të dështoi projekti për koalicionin LDK-PDK

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka reaguar ndaj deklaratave të bashkëpartiakut të tij, Skender Hyseni, pasi ky i fundit e ka kritikuar kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin, për zhvendosje të fotografisë së presidentit Hashim Thaçi në zyrën e saj.

Avdyli përmes një postimi në Facebook ka thënë se Hyseni e ka pasur projekt krijimin edhe të një koalicioni me PDK-në.

Histeria nuk është virus, por si duket histeria e zhvendosjes së fotografisë së Presidentit Thaqi e paska prek edhe Skenderin tonë të LDK-së. I fundit që do duhej sot të ishte me pezm pse fotografia e Presidentit historik Rugova qëndron përballë atij të Presidentit aktual Thaqi do duhej të ishte Skenderi, por ja edhe kjo na ndodhi”, ka shkruar deputeti.

“Nuk është e lehtë për PDK-në që pas shumë vite në pushtet të mbesin në opozitë, por të kishte kaq i pezmatuar edhe përkthyesi i Presidentit Rugova duket shumë e pakuptimtë. Apo ndoshta edhe për Skenderin nuk është lehtë që projekti i tij dytë për koalicion LDK-PDK dështoi keq me 02.02.2020”, ka shtuar Avdyli.

Sipas tij, kohët kanë ndryshuar, edhe politikanët vijnë e shkojnë, “por më të këqinjtë mbesin ata që skanë respekt për dorën që e ushqeu”.

“E Presidenti Rugova fatkeqësisht ushqeu edhe ndonjë mosmirënjohës si puna e Skenderit tonë të LDK-së”, ka thënë më tej Avdyli.

Hyseni përmes një postimi në Facebook duke kujtuar konferencën e Rambujes, ka kritikuar Vjosa Osmanin për zhvendosjen e fotografisë së Thaçit.

“Këto vlera assesi nuk ruhen dhe as nuk respektohen me akte të ndërrimit të fotografive në Zyren e Kryetares së Kuvendit, me tensionim krejtësisht të panevojshëm dhe të paarsyeshëm në politikën kosovare pak ditë pas krijimit të Qeverisë së re të Kosovës, i cili tani rrezikon që të pamundësojë krijimin e konsensusit në mes nesh në mbështetje të Agjendës së Administratës Amerikane, të përfaqësuar nga Emisari Special për bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, Ambasadori Grenell, e cila synon ta përmbyllë kontestin shekullor në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Hyseni.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani është përfolur të martën se një ditë pasi mori detyrën e re ka zhvendosur fotografinë e presidentit Hashim Thaçi.

Osmani ka vendosur që në qendër të zyrës së saj të jetë fotografia e ish-presidentit, Ibrahim Rugova. Kryeparlamentarja deklaroi se e ka vendosur ‘për t’u inspiruar’. Ndërsa, për vendndodhjen e fotografisë së Thaçit ajo tha se ‘nuk e ka larguar por e ka vendosur në një vend tjetër’.

Vjosa Osmani vendos fotografinë e Thaçit përballë asaj të Rugovës – FOTO

www.kallxo.com