Haxha: Nga mëditjet e Telekomit të tjerët kanë blerë shtëpi

Ish-kryeshefi i Postës dhe Telekomunikacionit (PTK), Shyqyri Haxha, ka deklaruar se nga vizitat që ka zhvilluar në Monako sa ishte në krye të kësaj ndërmarrjeje, i kishte sjellë ‘milionat’ në Kosovë dhe se nuk i kishte shfrytëzuar udhëtimet për t’u shëtitur atje.

Teksa po fliste për shpenzimet e PTK-së për mëditje, Haxha në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se ka pasur zyrtarë që me mëditje kanë blerë edhe shtëpi.

“Nga këto vizita i kam pru Kosovës multi-miliona. Më së pari, nuk kam shku me u shëtitë e me nejtë në Monako e hotele të Monakos. Ndjehem shumë krenar që kam arritë me ndryshu kontratën Monako Telekomit. Unë s’kam dashtë me shku me u shëtit në Monako, me udhëtu me dy aeroplanë prej këtu në Austri e prej Nice në Monako, qysh janë shku të tjerët me u shëtit, me mëditje kanë blerë traktorë, shpija. Edhe një inxhinier ka mujtë me marrë ma shumë së unë mëditje, që ka shku me nejtë nëpër Monako. Na e kanë leju një zyrë në Londër edhe takimet i kemi mbajtë atje. Edhe sa herë që kemi shku, kemi sjellë miliona në Kosovë. Unë është dashtë me udhëtu tri orë për me shku në shtëpinë time “, tha Haxha.

Në bazë të të dhënave që KALLXO.com ka siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, në periudhën 2009-2011, Shyqyri Haxha kishte marrë mëditje 56,565 euro.