Havolli: BQK nuk inkurajon investimin në kriptovaluta

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli ka thënë se ky institucion aktualisht nuk i inkurajon qytetarët që të investojnë në kriptovaluta.

Në një diskutim publik që sot organizoi Komisioni për Ekonomi mbi Nismën legjislative “Projektligji për kriptovaluta”, Havolli tha se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm kur vendosin të investojnë në kriptovaluta.

“Banka Qendrore e Kosovës ka përcjell në komitetet e brendshme nga afër zhvillimet në fushën e kriptovalutave ose kritoasteteve, që ne i quajmë kriptoaste. Ne kemi thënë gjithmonë që duhet qytetaret të dinë nga rreziku që mund të vijë nga investimi në kriptoaste. Nga mund të vijë ky rrezik, sigurisht rreziqet e mëdha mund të sjellin edhe përfitime të mëdha, mirëpo nuk ka një mekanizëm i cili garanton qëndrueshmërinë. Luhatshmëritë e larta mund të sjellin humbje të parikuperueshme”, tha ai.

Tutje, ai tha se janë disa fusha të cilat mund të rregullohen në të ardhmen sa i përket kriptovalutave.

“Mund të rregullohen shumë fusha brenda kriptovalutas, fushat që ndërlidhen me shpëlarjen e parave dhe financimin e terrorizmit në mbrojtjen e konsumatorit, etj. Prioritet për BQK-në ose rekomandim do të ishte pritorizimi i fushës së shpëlarjes së parave dhe taksimit”, deklaroi Havolli.

“Ka hapësirë për diskutim, por në pikëpamjen e BQK, qytetaret e Kosovës, duhet të jenë të vetëdijshëm me rreziqet që mund të ballafaqohen si rezultat i investimit në kriptoaste. BQK nuk e inkurajon investimin ne kriptovaluta…”, tha ai.

Sot, Komisioni për Ekonomi mbajti diskutimin e parë publik mbi “Projektligji për kriptovaluta” ku pjesëmarrësit shprehën qëndrimet rreth kësaj çështje.