Haskuka vendos të ecë vetë, ndan rrugët me LDK-në

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ndonëse kanë qeverisur për dy vjet në Prizren, sot kanë ndarë rrugët.

Pozita e kryesuesit të Asamblesë Komunale u bë “mollë sherri” ndërmjet dy subjekteve në partneritet.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ndonëse dha lajmin në një konferencë të jashtëzakonshme pas seancës, u deklarua sërish pas prishjes së koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Haskuka përmes një publikimi në Facebook ka thënë se nuk mund të vazhdohet koalicioni nuk ka kushtëzime.

Sipas Haskukës, koalicioni me LDK ka qenë për asamblenë komunale, ndërsa pas seancës së sotme kur PDK ia mori kryesuesin e asamblesë, ky koalicion nuk ka kuptim të vazhdohet.

Ai ka falënderuar drejtorët dhe nënkryetarin e komunës nga kjo parti për angazhimin e tyre.

“Koalicioni me kushtëzime nuk ka kuptim të vazhdohet. Sot LDK e ka bojkotuar sërish mbledhjen e asamblesë komunale. Koalicioni me LDK-në ka qenë për asamblenë dhe kur asambleja komunale nuk funksionon, nuk ka kuptim të vazhdohet. Falënderoj drejtorët dhe nënkryetarin nga LDK për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në arritjen e prioriteteve tona qeverisëse”, ka shkruar Haskuka.

Anton Quni kryetar i degës së LDK-së në një postim në profilin e tij në Facebook ka thënë grupi i kuvendarëve të LDK-së në koordinim me atë nuk kanë marrë pjesë në këtë seancë.

“ Kemi kërkuar nga partneri ynë që të bëjmë shpërndarjen e përgjegjësisë me bindjen se kjo do ta rriste performancën  dhe efikasitetin e shërbimeve karshi qytetarëve prizrenas “ thotë Quni, duke iu referuar kërkesës së LDK-së për një drejtori më shumë nga tre sa kishte deri më sot.

Quni thotë se kërkesat për balancimin e përgjegjësisë ishte në proporcion me përfaqësimin që LDK ka në Kuvendin Komunal.

“Ishin ne që i vulosëm fitoren e kryetari Haskuka, i cili sot vendosi që tash e tutje të rrugëtoi pa ne “ përfundon Anton Quni duke e falënderuar Haskukën për bashkëpunimin.

Këtyre dy subjekteve në zgjedhjet e fundit lokale iu bashku edhe NISMA Socialdemokrate, që së bashku larguan Partinë Demokratike të Kosovës, e cila kishte krijuar bastion në Prizren, duke qeverisur për 11 vjet radhazi.

Pas arritjes së marrëveshjes, LDK i kishte marrë VV, nënkryetarin dhe tre drejtori.

Largimi i Nisma nga koalicioni hapi rrugën për përçarje dhe mospajtime  të partnerëve LDK dhe LVV.

Kjo pasi që Lidhja Demokratike e Kosovës kërkoi më shumë “hise” në qeverisjen Haskuka.

Kohëve të fundit LDK-ja kërkoi që të merrte një drejtori më shumë ose të ketë pozitën e kryesuesit të Asamblesë Komunale.

Pozita e Kryesuesit të Asamblesë Komunale u lirua pas zgjedhjes së Artan Abrashit, deputet në Kuvendin e Kosovës.

Këto kërkesa të LDK-së nuk u realizuan nga Vetëvendosje, me arsyetimin se në vazhdimësi kanë hasur në pengesa kur i janë dashur vota për kalimin e çështjeve, të cilat janë diskutuar në asamble.

Katër drejtorë janë larguar nga pozitat e tyre gjatë qeverisjes së Haskukës, disa të shkarkuar  e disa të dorëhequr për shkak të aktakuzave ndaj tyre, ndërsa Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër ende mbetet pa udhëheqës.

Përkundër mospajtimeve që zhvilloheshin ndërmjet dy subjekteve, kryetarët e degëve shiheshin shpesh së bashku.

Ata së fundmi ishin takuar për bashkërendim të qëndrimeve.

Kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni, përmes një publikimi në Facebook kishte shkruar se po takohen “për ta bërë sa më të mirë dhe më të besueshme qeverisjen lokale në Prizren”.

Haskuka e Quni zotoheshin që qytetarëve të Prizrenit t’u japin shërbime më cilësore përgjatë vitit 2020.

“Si dy partner në qeverisje, jemi zotuar që të bëjmë gjithçka që është e mundur që qytetarëve të Prizrenit tu ofrohen shërbime më të mira e më cilësore përgjatë vitit në të cilin sapo kemi hyrë”, kishte shkruar Quni.

Ndërsa shpresonin që qeverisja e mirë e tyre në Prizren të merrej shembull edhe në nivelin qendror.

Në mbledhjen e datës 27 Janar kur Asambleja Komunale do të votonte për kryesuesin e  saj të ri, LDK kishte braktisur mbledhjen.

Pas dështimit të mbledhjes për zgjedhjen e kryesuesit, partnerët e koalicionit kishin thumbuar njëri tjetrin me nofka të ndryshme.

Drejtori i Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, Faruk Dakaj, e ka quajtur LDK-në parti të pazareve, duke e quajtur “dhelpër dinake” subjektin e LDK-së.

Ndërsa sot LDK fare nuk është paraqitur në mbledhjen kur opozita i rrëmbeu pozitën e kryesuesit të Asamblesë Komunale, për një votë

Koalicioni me kushtëzime nuk ka kuptim të vazhdohet “ ka thënë Haskuka.

I njëjti ka falënderuar nënkryetarin dhe tre drejtoret e LDK-së për bashkëpunimin, duke lënë të nënkuptohet se të njëjtit nuk do të vazhdojnë të jenë në këto pozita.

Edhe Nisma kishte pasur në udhëheqje 3 drejtori gjatë kohës  sa ishte në bashkëqeverisje, mirëpo pas largimit nga koalicioni,  dy drejtorët Osman Hajdari dhe Ehat Oreshka kishin vazhduar  të qëndroni përkrah Haskukës në rrugën që kanë nisur dy vjet më parë.

Nisma ishte larguar nga koalicioni qeverisës pasi Haskuka kishte shkarkuar drejtorin e Arsimit, Gani Gërmizaj, për shkelje ligjore në konkursin për mësimdhënës.

Vetëvendosje tashmë ka vetëm 7 asamblistë dhe do ta ketë shumë të vështirë t’i shtyjë proceset përpara.