Haskuka takon furrtarët prizrenas në prag të muajit të Ramazanit

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka është takuar me furrtarët prizrenas në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Haskuka ka njoftuar se në takim me ta kanë marrë masa të shtuara për kujdes, pasi grumbullimi i njerëzve para furrave do të jetë absolutisht i ndaluar.

Përvec masave të tjera, punëtorët e furrave do të kontrollohen në baza ditore për simptomat e COVID-19.

Gjithashtu Haskuka ka inkurajuar furrtarët që të praktikojnë edhe dërgimin e porosive në shtëpi në mënyrë që të minimizojnë mbledhjen e njerëzve para furrave.

Publikimi i plotë i Haskukës:

Nga sot fillon Muaji i Shenjtë i Ramazanit. Gjatë këtij muaji furrtarët e qytetit si gjithmonë do të kenë punë e orar të shtuar për përgatitjen e pitajkave tradicionale të Ramazanit.

Duke pasur parasysh gjendjen të krijuar nga pandemia COVID-19 dhe masave të ndërmarra nga niveli qendror për parandalimin e përhapjes së virusit, do të jetë absolutisht e ndaluar grumbullimi i njerëzve para furrave.

Për këtë arsye, mbajtëm një takim me furrtarët për të diskutuar se si duhet ta menaxhojmë në mënyrën më të mirë këtë situatë.

Nga ky takim, krahas masave mbrojtëse siç janë pajisja obligative e punëtorëve me maska dhe dorëza, dezinfektimi i rregullt i furrave, ruajtja e distancës së blerësve brenda dhe jashtë furrave, si dhe caktimit të një punëtori veçmas për kryerjen e pagesave pa pasur kontakt me produktet, dolëm në përfundim që duhet t’i shtojmë edhe disa masa të tjera shtesë.

Furrtarët i inkurajuam që shitjen e produkteve të tyre ta orientojnë më shumë në shitje me porosi dhe dërgim të porosive në shtëpi (delivery), duke funksionuar nëpërmjet telefonit apo aplikacioneve online.

Gjithashtu punëtorëve të furrave do t’i bëhet skanimi në baza ditore për simptomet të COVID-19, dhe nëse ndonjëri ka simptome, atëherë do të bëhet izolimi i tij deri në kontrollin mjekësor nga ana e shërbimit primar shëndetsor.

Për respektim të këtyre masave gjithsesi kërkohet edhe bashkëpunimi i ngushtë me qytetarët, andaj i lus të gjithë që ta respektojnë orarin e lëvizjes në bazë të numrit personal, të mbajnë distancën sociale, të mbajnë maska dhe dorëza mbrojtëse, si dhe të praktikojnë sa më shumë blerjen online duke bërë porosi nga shtëpia.