Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka - Foto: KALLXO.com

Haskuka me akuza për Qeverinë: Situata ka dalë jashtë kontrollit

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka kritikuar Qevrinë Hoti, duke thënë se situata me menaxhimin e pandemisë ka dalë jashtë kontrollit.

Haskuka ka përmendur faktin se vetëm gjatë javës së kaluar më shumë se 70 qytetarë kanë vdekur nga COVID-19. Sipas tij, kjo është më e lartë se 100 ditëshi i qeverisë Kurti.

Sipas Haskukës, faji është tek ata të cilët e rrëzuan qeverinë e Albin Kurit në kohën e pandemisë.

“Shumë vendime që as vetë nuk dinin t’i interpretonin. Ndaluan pishinat e hapura, gjersa lejuan pishinat e mbyllura. Kudo në botë është e kundërta. Por këtu pishinat e mbyllura janë në hotele luksoze të partnerëve, prandaj nuk mund t’i mbyllnin ato”, ka shkruar Haskuka.

Kryetari i Prizrenit, tutje ka shkruar se nuk është përmbushur premtimi që do të ketë më shumë teste, ndërsa ka theksuar se si komunë ka që tri javë që kanë kërkuar lejen për të bërë teste serologjike me gjak për COVID-19, por sipas tij, ende nuk kanë marrë përgjigje nga niveli qendror.

Haskuka ka shkruar se nëpër spitalet rajonale ka mundesë të oksigjenit dhe me furnizimet nga Ministria e Shëndetësisë, Spitali i Prizrenit mund të operojë vetëm për 6 orë.

Ai në fund ka shkruar se kjo qeveri duhet të shkojë, pasi sipas tij, situata ka dalë nga kontrolli.

“Çdo kthim nga zarari është fitim, çdo kthim nga terapia e gabuar sjell shëndet. Andaj kjo qeveri duhet të shkojë sa më shpejtë, të japë dorëheqje dhe t’ia hapë Kosovës rrugën e shërimit”, ka shkruar në fund Haskuka.