Haskuka: Komuna e Prizrenit po sabotohet

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se Komuna të cilën ai e udhëheq po sabotohet.

Sipas Haskukës, Komunës së Prizrenit i janë bllokuar mjetet nga fondi i performancës. Po ashtu, nuk ka furnizim me medikamente shëndetësore nga Ministria si dhe vaksinat sezonale ende i janë dërguar komunës.

“Sabotimet ndaj Komunës së Prizrenit po vazhdojnë: 537.184 Euro nga bllokimi i mjeteve nga fondi i performancës, 8,400 Euro dëmi nga mos furnizimi i rregullt nga Ministria me medikamente mjekësore, 5.500 doza te vaksinës së gripit për Komunën e Prizrenit akoma nuk kanë ardhur. Pavarësisht këtyre sabotimeve Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prizrenit, është shembull për shërbime kualitative ndaj qytetarit”, ka shkruar Haskuka.

Komuna e Prizrenin këtë vit është përfituese e grantit të performacës për vitin 2019 nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal së bashku me SDC/DEMOS në vlerë prej 246 mijë e 773 euro.

Kësaj vlere do t’i shtohet edhe shuma e bashkëfinancimit nga SIDA në vlerë prej 55 mijë e 323 euro.

Granti i performancës për vitin 2019 do të jetë në vlerë prej 302 mijë euro për këtë Komunë.

Ky grant mund të përdoret nga Komuna e Prizrenit për investime kapitale në çfarëdo fushe në përputhje me planet e saj.

Granti i  performancës së komunave është organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ku përfituese nga ky program për vitin 2019 janë 19 komuna.

Fondi i përbashkët i bashkëfinancimit në total është 9 milionë euro për 4 vite për periudhën 2018-2021.50% e fondeve për këtë grant janë fonde publike nga buxheti i MAPL-së dhe 50% janë fonde nga Qeveria zvicerane, të cilat implementohen përmes SDC nga projekti DEMOS.