Haskuka jep detaje për shtëpinë e shembur në Prizren ku u lënduan dy persona

Një shtëpi është rrënuar para pak orëve në Prizren.

Kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka ka bërë të ditur se dy anëtarët e familjes Kasëmllari fatmirësisht kanë shpëtuar me lëndime të lehta nga shembja e shtëpisë së tyre, e cila është rrënuar vetvetiu nga vjetërsia.

“Në vendngjarje menjëherë kanë ardhur ekipet e Drejtorisë së Emergjencës, Inspektoratit dhe atyre të trashëgimisë kulturore, për të verifikuar gjendjen dhe për të marrë hapat e mëtutjeshme për evitim të rrezikut”, ka shkruar Haskuka në postimin e tij në facebook.

Sipas Haskukës, rreziku nga shembja e shtëpia të vjetra është problem ekzistent jo vetëm në këtë shtëpi, por edhe në shumë shtëpi të vjetra, të cilat për shkak se kanë vlera të trashëgimisë kulturore apo gjenden në qendrën historike nuk mund të rrënohen tërësisht, e në anën tjetër për shkak të mungesës së mjeteve financiare nuk mund as të renovohen.

“Lidhur me këtë problem, që nga koha kur kam qenë deputet në Kuvendin e Kosovës kam kërkuar krijimin e Fondit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore me së paku 5 milionë euro, që do të mundësonte intervenime të shpejta nga ekipet e specializuara dhe me procedura specifike për shtëpitë që janë në gjendje kritike”, ka shkruar Haskuka.

Ai ka bërë të ditur se Komuna e Prizrenit do të vazhdoj përpjekjet për krijimin e këtij fondi, duke shikuar mundësitë  që ta krijojnë së bashku me Qeverinë dhe Ministrinë e Kulturës.

“Restaurimet e shtëpive të vjetra që janë në qendrën historike apo kanë vlera të trashëgimisë kulturore janë të kushtueshme dhe kërkojnë ekspertizë, prandaj ky fond është i domosdoshëm të krijohet sa më parë.Shpresoj që të evitohen sa më parë të gjitha rreziqet nga shtëpitë e vjetëruara dhe ky të jetë rasti i fundit i një fatkeqësie të tillë”, ka shkruar Haskuka.

KALLXO.com para pak minutave raportoj për rrënimin e shtëpisë së vjetër në Prizren.

Sipas zëdhënësit të Policisë në Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, të dy personat janë jashtë rrezikut për jetë dhe janë trajtuar nga Emergjenca e Prizrenit.

Osmanollaj ka thënë për KALLXO.com se rasti ka ndodhur në rrugën e “Saraçëve”, afër Shtëpisë së Kulturës “Xhemajli Berisha” ndërsa me hetimin e rastit janë duke u marrë njësitet kompetente.

“Rasti ka ndodhur në rrugën e “Saraçëve” rreth orës 11:20, dy persona, burrë e grua, janë lënduar lehtë dhe janë jashtë rrezikut për jetë. Personat e lënduar janë trajtuar nga Emergjenca e Prizrenit. Rasti është duke u hetuar”, ka thënë Osmanollaj.

Shembet një shtëpi në Prizren, lëndohen burrë e grua