Haskuka emëron drejtorin e ri të Gjeodezisë dhe Kadastrës

Drejtoria e Gjeodezisë dhe Kadastrës në Komunën e Prizrenit nga sot do të udhëhiqet nga drejtori i ri, Bajrush Sezairi.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka përmes një publikimi në Facebook.

“Sezairi së fundi ka qenë zëvendësministër i qeverisjes së kaluar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa më parë ka qenë drejtor i një kompanie private për 16 vite rresht dhe para vitit 2000 ka qenë i angazhuar në Drejtorinë e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit”, ka bërë të ditur Haskuka.

Sezairi, që vjen nga partneri i koalicionit NDS, në postin e tij të ri do ta zëvendësojë Refik Shaqirin.

Emërimi i Bajrush Sezairit vjen pasi ish-drejtori Refik Shaqiri, është njëri nga tre drejtorët që iu kishte ngritur aktakuzë për dhënien e pronës së Komunës në mënyrë të kundërligjshme.

 “Drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrit, doktor Refik Shaqiri, do të vazhdojë karrierën e tij në sistemin e shëndetësisë publike”, kishte shkruar Haskuka.